Në një intervistë për gazetën “Panorama”, shefi i Njësisë së Radioterapisë pranë Shërbimit të Onkologjisë në QSUT, Orges Spahiu tregon se sëmundjet tumorale vrasin afro 10 milionë njerëz në vit dhe rreth 70% të tyre janë të moshës mbi 65 vjeç.
“Kanceri është shkaku i dytë kryesor i vdekjes në mbarë botën. Në Shqipëri regjistrohen mbi 7000 raste te reja me kancer në vit. 10 milionë njerëz vdiqën nga kanceri në 2020 në mbarë botën. 70% e vdekjeve nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta deri në mesatare. Më pak se 30% e vendeve me të ardhurave të ulëta kanë shërbime të disponueshme të trajtimit të kancerit (krahasuar me 90% në vendet me të ardhura të larta).
Mbi 350,000 fëmijë në vendet me të ardhura të ulëta u mungon trajtimi ndaj kancerit.
Kanceri vret afro 10 milionë njerëz në vit dhe rreth 70% të tyre janë të moshës 65 vjeç e lart, por popullatat më të vjetra përballen me barriera disporpocionale për trajtimin efektiv.
Cilat janë disa prej barrierave që ndikojnë negativisht te qasja ndaj shërbimit për trajtimin e kancerit?
“Ndërkohë që jetojmë në një kohën e një përparimi të jashtëzakonshëm sa i përket parandalimit, diagnozës dhe trajtimit të kancerit, ka njerëz që hasin barriera në çdo hap.
Të ardhurat, arsimi, vendndodhja gjeografike, gjinia, orientimi seksual, mosha, paaftësia dhe mënyra e jetesës janë vetëm disa nga faktorët që mund të ndikojë negativisht tek aksesi ne shërbim dhe kujdes. Barrierat e identifikuara nga OBSH që qëndrojnë përgjatë rrugës së kujdesit ndaj kancerit përfshijnë: normat gjinore dhe diskriminimin, statusin socio-ekonomik, ndarjen fshat-qytet, diskriminimin në moshë, homofobia, transfobia dhe të ngjashme si diskriminimi”.
Cilat janë hapat që duhen ndërmarrë për të parandaluar dhe minimizuar vdekshmërinë nga kanceri?
Deri në 3.7 milionë jetë mund të shpëtohen çdo vit përmes burimeve të duhura strategjike për parandalimin, zbulimin e hershëm dhe në kohë dhe trajtim cilësor. Më shumë se një e treta e rasteve të kancerit mund të parandalohen. Një e treta tjetër mund të shërohet nëse zbulohet herët dhe trajtohet siç duhet. Duke zbatuar strategjinë e duhur për parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin bashkëkohor, ne mund të shpëtojmë miliona jetë çdo vit”.
LEXO EDHE: Parandalimi i sëmundjeve/ Si na shërben “CHECK UP-i sipas Protokollit Japonez”
Në fund edhe një apel për ndërgjegjësimin në luftën kundër kancerit.
“Me gjithë arritjet e sotme, e gjithë shoqëria jonë duhet të jetë e vëmendshme ndaj kësaj sëmundjeje. Secili prej nesh mund të ndërgjegjësojë një familjar, një shok, një koleg, një të afërm mbi këtë sëmundje dhe rëndësinë e hapave të duhur. Politikëbërësit duhet të kenë vazhdimisht në vëmendje nevojën për investime dhe mundësimin e trajtimeve inovative, që avancojnë me hapa të shpejte globalisht. Të gjithë mund të luajmë një rol të rëndësishëm në luftën kundër kancerit. Duke folur dhe duke ndërmarrë veprime për të siguruar barazi në kujdesin ndaj kancerit. Gjithashtu, mund të kontribuojmë për një botë ku shëndeti trajtohet si prioritet për të gjithë. Kushdo që jeni, keni fuqinë të zvogëloni ndikimin e kancerit për veten tuaj, njerëzit që doni dhe për botën”.
LEXO EDHE: Një akt dashurie për jetën dhe shëndetin/ Pse nevojitet “Sigurimi anti-Tumor”