Ndonëse jemi zyrtarisht në stinën e verës, në vendin tonë virusi Covid-19 vijon qarkullimin bashkë me viroza të tjera, ndërsa gripi duket se është larguar përfundimisht.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik, përgjatë javës së 21, janë regjistruar 470 raste të reja me Covid-19.
Sipas ISHP, vetëm në periudhën 20-26 maj u regjistruan 8 raste me Covid-19 ndërsa numri i vdekjeve vijon të jetë 0.
“Simptomat e Covid-19 ngjasojnë me virozat, dhimbje fyti, temperaturë e lartë për 2-3 ditë, por përmes analizave të thjeshta të gjakut konstatohet nëse je prekur nga Covid-19 apo viroza. Ndërsa raste me grip nuk kemi identifikuar përgjatë muajit maj”, thonë nga ISHP.
Fëmijët dhe personeli mjekësor, ndër më të prekurit
Sikurse dhe gjatë pandemisë, kategoritë më të prekura nga virozat dhe Covid-19 janë fëmijët, për shkak të qëndrimit të gjatë në ambientet e mbyllura si dhe personeli mjekësor.
“Nuk e di sa herë mund të jem prekur nga viroza apo Covid këtë periudhë kohe. Vajzën e kam 4 vjeç dhe frekuenton kopshtin. Temperaturë e lartë dhe dhimbje fyti kemi patur të dyja këtë periudhë.
Edhe luhatja e temperaturave ka ndikuar në shtimin e qarkullimit të virozave”, thotë për “Gazeta Si” një prind që viziton fëmijën në një prej qendrave shëndetësore në Tiranë.
LEXO EDHE: Rikthehen infektimet nga virusi “Koksaki”/ Fluks i shtuar në QSUT. Prindër, ja çfarë ju nevojitet
Covid, virozë apo alergji, si ti dallojmë simptomat?
Ekspertët e shëndetit publik thonë se kjo është periudha në të cilën është e vështirë të dallosh nëse vuan nga Covid, një i ftohtë apo një alergji.
Udhëzimet e OBSH thonë se ata që janë infektuar disa herë nga virusi Sars-CoV-2 mund të përjetojnë simptoma më të rënda, për shembull, gjatë infeksionit të tretë në krahasim me dy të parët.
Por në shumicën e rasteve, sa më shumë imunitet që është krijuar përmes infeksioneve të përsëritura, vaksinimeve ose një kombinimi të të dyjave, i bën simptomat e Covid më të buta.
“Teshtitja dhe rrjedhja e hundës janë të pranishme si për infeksionin Covid ashtu edhe për alergjinë, por nëse kemi rrjedhje me mukozë transparente dhe teshtitje të shpejtë, ndoshta të shoqëruar me skuqje të syve, ka shumë mundësi që të jetë e dyta”, thotë eksperti i shëndetit publik Dritan Ulqinaku.
Covid-19 dhe lidhjet me dhimbjet e stomakut
Covid mund të shkaktojë dhimbje stomaku, duke i lënë të prekurit me të vjella dhe diarre, të cilat zakonisht nuk janë të pranishme në alergji.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se ndryshe nga ata me alergji sezonale, në rast të Covid-19, shpesh ndjehen dhimbje muskulore.
“Kësaj i shtohet edhe fakti se alergjitë priren të shkaktojnë kruajtje, kështu që nëse kruani sytë, veshët dhe fytin, ka shumë më pak gjasa që të jetë SARS-CoV-2.
Një tjetër ndryshim thelbësor është se alergjitë shkaktojnë simptoma “të thata”. Kjo do të thotë se kolla e lidhur me to përgjithësisht nuk prodhon mukozë. Dhe pastaj është lodhja. Mund ta shkaktojnë si alergjitë ashtu edhe infeksionet virale, por me Covid-19, lodhja shfaqet papritur dhe zakonisht është dobësuese”, thonë ekspertët.
Ekspertët theksojnë se mjedisi ku qëndrojmë vijon të jetë thelbësor, si në kohën e pandemisë.
Nëse keni kaluar kohë me njerëz që më vonë rezultuan pozitivë për virusin SARS-CoV-2 dhe më pas nuk mund të ndaloni teshtitjen, ka shumë mundësi që të keni të bëni me Covid.
Nga ana tjetër, nëse me ardhjen e pranverës filloni të teshtini, pikërisht kur pemët fillojnë të lulëzojnë, mund të bëhet fjalë për një alergji.
Megjithëse është e mundur që të njëjtat simptoma të “ndizen” papritur te njerëzit që nuk i kanë pasur më parë.