Këshilli i Byrove ka konfirmuar se ‘Kartoni Jeshil’, i njohur edhe si Certifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorik, mund të pranohen në format elektronik, PDF, duke nisur nga fillimi i vitit 2025.
Nga 1 janari 2025, shoferët që vizitojnë çdo vend që është pjesë e “Kartonit Jeshil”, do të lejohen të dorëzojnë siguracionin e tyre edhe në formatin PDF.
Ndërkohë, do të jetë vendim i Byrove Kombëtare për çdo vend, nëse do të lëshojnë “Karton Jeshil” në këtë format ose jo.
Vendimi për lëshimin e “Kartonit Jeshil” elektronik u mor në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Byrove, ndërsa data nga e cila do të aplikohet u konfirmua së fundmi nga Bordi Mbikëqyrës i saj.
Çfarë është “Kartoni Jeshil”?
Polica e Sigurimit “Karton Jeshil” është siguracioni i detyrueshëm për të gjitha mjetet me targa shqiptare që qarkullojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Kohëzgjatja e “Kartonit Jeshil” mund të jetë 15 ditë, 1 muaj, 3 muaj, 6 muaj ose 1 vit.
Çfarë mbulon ky siguracion?
“Kartoni Jeshil” mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit, ndaj dëmeve që u shkakton palëve të treta, në përputhje me parashikimin e Ligjit të një prej shteteve anëtare të Këshillit të Byrove, ku ka ndodhur rasti në sigurim.
Shtetet ku vlen “Kartoni Jeshil”:
Belgjikë, Zvicër, Republika Çeke, Danimarkë, Francë, Finlandë, Mbretëri e Bashkuar, Greqi, Irlandë, Luksemburg, Norvegji, Holandë, Suedi, Sllovaki, Gjermani, Itali, Spanjë, Hungari, Portugali, Serbi, Austri, Poloni, Turqi, Rumani, Izrael, Marok, Tunizi, Islandë, Bullgari, Maltë, Estoni, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Bosnje Hercegovina, Andorra, Qipro, Moldavi, Ukrainë, Letoni, Bjellorusi, Lituani, Rusi, Mali I Zi, Azerbajxhan.