Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi ditën e djeshme rregulloren “Për përcaktimin e kërkesave për transfertat e kreditit dhe të debitimit direkt në Euro”
Kjo rregullore është hartuar në kuadër të procesit të aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në zonën SEPA, të njohur si “Tregu Unik i Pagesave në Euro”.
Anëtarësimi në SEPA është një objektiv i Bankës së Shqipërisë për të nxitur modernizimin e tregut të sistemeve të pagesave dhe integrimin e tyre me tregjet evropiane, si dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Anëtarësimi i përshpejtuar në SEPA është pjesë e projektit “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në Ballkanin Perëndimor” si dhe objektiv i qeverisë shqiptare për të përmbushur një nga kriteret e planit të BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit.
Rregullorja e miratuar këtë javë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë transpozon plotësisht dispozitat e rregullores së BE-së për kërkesat teknike dhe të biznesit për transfertat e kreditit dhe debitë e drejtpërdrejta në euro.
Ajo ka si objekt kryesor përcaktimin e kërkesave teknike për transaksionet e transfertave të kreditit dhe të debitimit direkt të kryera në monedhën Euro brenda Shqipërisë dhe ndërmjet Shqipërisë dhe zonës SEPA, ku si operatorit i Shërbimit të Pagesës (OShP-ja) e paguesit ashtu edhe e përfituesit janë në Shqipëri ose një nga OShP-të është në Shqipëri dhe tjetri brenda zonës SEPA, ose i vetmi OShP i përfshirë në transaksionin e pagesës ndodhet në Shqipëri.
Rregullorja do të zbatohet edhe për transfertat e kreditit dhe debitimet direkte në Lekë, për aq sa është e mundur nga pikëpamja teknike dhe operacionale.
Disa prej kërkesave kryesore teknike janë: Identifikuesi i llogarisë së pagesave duhet të jetë IBAN, standardi për formatin e mesazhit të pagesës duhet të jetë standardi ISO 20022 XML; fusha e të dhënave të dërgesave duhet të lejojë 140 karaktere. Skemat e pagesave mund të lejojnë një numër më të madh karakteresh, përveç se në rastin kur pajisja e përdorur për dërgimin e informacionit ka kufizime teknike në lidhje me numrin e karaktereve, ku në këtë rast zbatohet kufiri teknik i pajisjes. informacioni i referencës së dërgesës dhe të gjithë elementët e tjerë të të dhënave të ofruara duhet të transmetohen plotësisht dhe pa ndryshime ndërmjet OShP-ve në zinxhirin e pagesave; pasi të dhënat e kërkuara të jenë të disponueshme në formë elektronike, transaksionet e pagesave duhet të lejojnë përpunimin plotësisht të automatizuar elektronik në të gjitha fazat e procesit në të gjithë zinxhirin e pagesave (nga fundi-në-fund, direkt nëpërmjet përpunimit), duke mundësuar kryerjen e të gjithë procesit të pagesës në mënyrë elektronike pa pasur nevojë për përdorimin përsëri të çelësave ose ndërhyrje manual; skemat e pagesave nuk duhet të vendosin asnjë kufi minimal për shumën e transaksionit të pagesës që lejon transfertat e kreditit dhe debitimet direkte, etj.
Për pagesat që nuk janë pjesë e SEPA-s, Këshilli Mbikëqyrës mund të vendosë kërkesa të ndryshme nga përcaktimet e bëra në këtë rregullore.
Me qëllim aplikimin për pjesëmarrje në SEPA, OShP-të, që janë subjekt i kësaj rregulloreje, duhet të marrin masat e nevojshme që të përshtatin aktivitetet dhe funksionimin e tyre me kërkesat e kësaj rregullore, brenda 180 ditëve nga miratimi i zgjerimit të shtrirjes gjeografike SEPA-s në Shqipëri nga Këshilli Europian i Pagesave.
Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) pritet të vendoset brenda mesit të këtij viti, ndërsa integrimi i plotë në SEPA dhe nisja e ofrimit të shërbimeve mund të kërkojnë deri në dy vjet kohë.
Anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë lehtësi të mëdha në kryerjen e pagesave ndërkombëtare me kosto më të ulëta dhe në kohë më të shpejtë. /Monitor