Për të siguruar pronat, jetën, shëndetin dhe automjetet, këtë fillimvit shqiptarët paguan më shumë.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për periudhën janar-shkurt 2024 shqiptarët paguan në total 3.5 miliardë lekë sigurime, duke shënuar kështu një rritje me 8.19% krahasuar me të njëjtën periudhë në 2023.
Por tendenca në rritje vjen më së shumti si pasojë e sigurimit të detyrueshëm.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë mbi 57% të totalit të tregut, duke lënë pas sigurimin vullnetar.
Produktet më të rëndësishme të sigurimit vullnetar, ato të lidhura me sigurimin e pronës, shënuan rritje më të lartë se mesatarja e tregut. Por kjo kryesisht i atribuohet më shumë sistemit bankar, i cili nuk miraton kredi pa patur më parë këtë siguracion.
TË FUNDIT NË EUROPË PËR SIGURIME
Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet me shpenzimet më të ulëta për prime sigurimi në Europë duke u lënë pas edhe nga shtetet fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
3.5 miliardë lekë prime sigurimi nëse i llogarisim me numrin e popullsisë zyrtare që ka Shqipëria, rezulton se shpenzimi mesatar për frymë është vetëm rreth 6.8 euro për dy muajt e parë të vitit.
Nëse ruhet kjo tendencë, në fund të vitit mesatarja për frymë do të jetë rreth 80 euro.
Tregu shqiptar i sigurimeve që në fillesat e veta mbështetet në masën dërrmuese te sigurimet që janë të detyrueshme, për shkak të kërkesave ligjore ose për shkak të kushteve kontraktore të përcaktuara nga palët e treta, siç mund të jenë bankat, apo institucionet financiare.
Për këtë arsye, edhe shumë prej sigurimeve që ligjërisht janë vullnetare, si për shembull Sigurimi i Pronës, i Jës së Debitorit apo KASKO i automjeteve, realisht në pjesën më të madhe shiten në formë të detyrueshme.
Kultura dhe përgjegjësia për t’u siguruar mes shqiptarëve ngelet e ulët. Kjo edhe për shkak të së kaluarës komuniste dhe mentalitetit se për çdo dëm të mundshëm duhet të përgjigjet qeveria.
Vendi i Bashkimit Europian me shpenzimet më të ulëta për prime sigurimi është Rumania, me rreth 120 euro në vit, ndërsa në Zvicër primi mesatar për frymë arrin në afro 7 mijë euro në vit.
Mesatarja europiane vlerësohet në mbi 2 mijë euro për frymë në vit.
SIGURIMET I DHUROJNË QYTETARËVE PAVARËSI DHE DINJITET
Të bëhemi qytetarë të përgjegjshëm, të pavarur dhe me dinjitet duke u bërë pjesë e një komuniteti që vlerëson sigurinë dhe përgjegjësinë.
Investimi në sigurimin e pronës, shëndetit, jetës etj nuk është vetëm një veprim i mençur financiar, por gjithashtu një shenjë e kujdesit dhe respektit ndaj vetes dhe të tjerëve.
Duke patur një policë Sigurimi ne jemi qytetarë të pavarur dhe dinjitozë, pa patur nevojë të trokasim dyerve të institucioneve për ndihmë, të detyrohemi të zhytemi në borxhe apo të presim disa vite për rikuperimin e dëmit.
SIGURONI ÇDO GJË ME VLERË QË POSEDONI DHE JETONI SI QYTETARË TË LIRË.