Gjatë periudhës Janar-Shkurt 2024 në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 13,597 mjete ku 84.3% e tyre janë autovetura.
Përkatësisht në muajin e parë të vitit u regjistruan për herë të parë 6,660 mjete gjithsej ndërkohë që një muaj më vonë u regjistruan 4.1% më shumë, ose 6,937.
Statistikat e muajit janar të këtij viti tregojnë gjithashtu një trend pozitiv në investimin e shqiptarëve në makina elektrike.
DPSHTRR tregon përmes shifrave se nga totali i 13,597 mjeteve të regjistruara për herë të parë në dy muajt e parë të vitit 2024, rreth 443 autovetura janë 100% elektrike.
Nëse flasim vetëm për muajin janar, në total rezultojnë të regjistruara 261 mjete 100% elektrike.
Sipas të dhënave të institutcionit, nga totali i mjeteve me 0 km të regjistruara për herë të parë, rreh 61.4% janë Electric Hybrid Plug-in ose 81% më shumë krahasuar me vitin 2023. Nga ana tjetër, nga këto mjete me 0 km të regjistruara për herë të parë, 32% janë All – Electric ose 433% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Përdorimi i makinave elektrike ka një impakt të rëndësishëm në mjedis, nga regjistrimet për herë të parë të mjeteve elektrike do të kemi 344,520 kg CO2 më pak në një vit.
Në total flota e makinave elektrike në janar 2024 arriti në 3,580 mjete.
‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat nga DPSHTRR për të identifikuar mjetet sipas tipit të pronarit, ku rezulton se 17.3% e mjeteve të regjistrura janë në pronësi të subjekteve dhe 82.7% e tyre janë në pronësi të individëve.
E njëjta shpërndarje është hasur edhe një vit më parë, ku peshën më të madhe e zënë mjetet e regjistruara në emër të individëve.
Gjithashtu, në analizë janë marrë edhe shtetet e origjinës së këtyre mjeteve ku rezulton se ‘furnizuesi kryesor’ ka qenë Gjermania, duke kryesuar listën me 2,753 mjete të eksportuara në vendin tonë. Në renditje ndjek Italia me 2,670 mjete.
Këto shtete kanë qenë të parat në listë edhe në vitin 2023, por kësaj here kanë ndryshuar vendet, pasi vitin e kaluar shqiptarët kanë preferuar më shumë markat italiane.
Gjithashtu, në Shqipëri gjejnë përdorim edhe mjetet që vijnë edhe nga shtetet si Zvicra, Koreja dhe Kina.
LEXO EDHE: Sigurimi KASKO, ajo çfarë i duhet flotës së biznesit tuaj