Qeveria ka vendosur të rritë me 30% masat administrative që vendosen kujdrejt subjekteve që ndotin ajrin.
Në një draftligj të nxjerrë per konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis” kanë ndryshuar disa pika ku së pari ashpërsimi i masave administrative.
Në relacionin që shoqëron këtë draft thuhet se “qëllimi i ligjit është ashpërsimi i kundravajtjeve administrative në legjislacionin në fuqi për mjedisin me 30% të vlerës së gjobave, bazuar në rezultatet e këshillimit kombëtar, nga ku rezultoi se qytetarët vlerësuan se për të parandaluar veprimet e individëve apo subjekteve të cilët shkatojnë ndotjen e mjedisit dhe hapësirave publike nevojitet që të ashpërsohen masat ndëshkuese”.
Po kështu drafti parashikon që gjobat e vendosura të njihen si titull ekzekutiv duke e bërë arkëtimin e tyre më te thjeshtë.
“Parashikimi në legjislacionin e fushës së mjedisit të dënimit me gjobë si titull ekzekutiv do të sjellë efektivitet në ekzekutimin e sanksioneve që vendosen nga organet administative, sqarojmë se, aktualisht procesi i ekzekutimit të gjobave vështirësohet për shkak të ankimit administrativ dhe gjyqësor të gjobës duke zgjatur në kohë procesin dhe duke humbur qëllimin e vendosjes së sanksionit për ndotjen e mjedisit” thuhet në relacion.
Kundravajtjet sipas draftit
Drafti parashikon se çdo shkelje e kërkesave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore, të dala në zbatim të tij, kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet shkelje administrative dhe ndëshkohet me gjobë, pezullim apo mbyllje të veprimtarisë, përkatësisht:
a) mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të shkarkimeve në ajër nga operatori i një instalimi, referuar lejes së mjedisit të tipave A apo B:
i) për lejet e mjedisit të tipit A, dënohet me gjobë në vlerën 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë;
ii) për lejet e mjedisit të tipit B, dënohet me gjobë në vlerën 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë;
b) ndotja e ajrit, e shkaktuar nga burimet e lëvizshme, në kundërshtim me kërkesat e nenit 13, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë.”
c) prodhimi, importimi,tregtimi i lëndëve djegëse nga subjektet dhe përdorimi i lëndëve djegëse nga operatori, në kundërshtim me kërkesat e shkronjave “a” dhe “b” të nenit 14, të këtij ligji, dënohen me gjobë në vlerën 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, në varësi të sasisë dhe rrezikshmërisë që paraqesin lëndët djegëse të palejuara, si dhe me sekuestrimin e lëndës djegëse që është gjendje;
ç) Mosrespektimi i masave për sigurimin e informacionit mbi konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 gjatë marketingut të automjeteve të reja, sipas kërkesave të shkronjës “c” të nenit 14, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 200 000 (dyqind mijë) lekë ;
d) Mos përmbushja nga operatorët, e kërkesave për pakësimin e rrjedhjeve dhe shkarkimeve të përbërësve organik të avullueshëm (VOC) në kundërshtim me përcaktimet sipas shkronjave “ a”, “c” dhe “ç” të nenit 15, të këtij ligji, dënohen me gjobë në vlerën 1 300 000 (një milion e treqind mijë) deri në 2 600 000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, në varësi të sasisë e rrezikshmërisë që ato lëndë djegëse paraqesin, si dhe me pezullimin e veprimtarisë, për aq kohë sa të bëhet zëvendësimi i lëndës djegëse.
LEXO EDHE: 10 sëmundje që shkakton ndotja e ajrit