“Dita e Alfabetit”, 22 nëntori është shpallur festë kombëtare. Kjo u bë e ditur nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili tha se Këshilli i Ministrave i ka propozuar Kuvendit për futjen e 22 nëntorit në kalendarin e festave kombëtare.
“Këshilli i Ministrave i propozon Kuvendit shtimin e Ditës së Alfabetit, si një nga festat tona kombëtare, është ditë me simbolikë të veçantë. Ajo që bashkon shqiptarët është gjuha. Në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen nga kjo gjuhë e shenjtë. Kryeministri e njoftoi këtë fakt në Samitin e Diasporës”, tha ai.
Ky hap ishte paralajmëruar nga vetë kryeministri Edi Rama, gjatë Samitit të Diasporës, që u mbajt në Tiranë.
“Arbën Xhaferri i cili nuk jeton më pati vizionin të kërkojë që dita e alfabetit të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Tani mendoj se është koha që kjo të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër unë besoj se edhe presidentja e Kosovës t’ja japë këtë sugjerim kryeministrit të vetë”, do të shprehej Rama në nëntor 2023.
Historia e “Ditës së Alfabetit”
Data 22 nëntor përbën një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë dhe në diasporën shqiptare, pasi kjo datë shënon ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Alfabeti u njësua gjatë Kongresit të Manastirit i njohur ndryshe edhe si Kongresi i Alfabetit.
Mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908 është mbajtur një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe
Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë.
Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzet e tre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetë e dy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe 18 vëzhgues.
Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani. Delegat tjetër nga familja Zavalani ishte Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.