11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSponsorizimi i Kombëtares/ Ponari: Detyrim moral ndaj 1.2 milionë klientëve në 3...

Sponsorizimi i Kombëtares/ Ponari: Detyrim moral ndaj 1.2 milionë klientëve në 3 shtete

Pjesëmarrja në një garë të rëndësishme si Kampionati Evropian i Futbollit, krijon potenciale përfitimesh të dyanshme edhe në marrëdhëniet me sponsorët e Kombëtares.

Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group Austria, në një intervistë për revistën “Monitor”, shprehet se, të qënurit sponsor i Kombëtares është një reklamë e mirë për kompaninë. Megjithatë, sipas tij, kostot e sponsorizimit janë më të larta se kthimi që merr kompania.

Deri tani, sipas z.Ponari, SIGAL UNIQA, sponsorizimet në sport i ka ndërmarrë në kuadër të përgjegjësisë sociale, më shumë sesa të kthimit që një investim i tillë mund të sjellë.

Gjatë intervistës ai përsërit edhe një herë apelin për një ligj të veçantë për sponsorizimet në sport, i cili fatkeqësisht ende mungon në Shqipëri dhe do nxiste bizneset të investonin.

“Mungesa e një ligji për sponsorizimet, që vazhdoj ta them, krijon vështirësi”, shprehet CEO i “SIGAL UNIQA Group Austria”.

INTERVISTA

MONITOR: SIGAL UNIQA është një nga sponsorët e Kombëtares shqiptare të futbollit. Si e vlerësoni impaktin e fushatës pozitive të eliminatoreve dhe kualifikimin në Europian në rritjen e atraktivitetit të Kombëtares nga pikëpamja komerciale?

Avni Ponari: Që prej themelimit të saj, në shkurtin e vitit 1999, SIGAL UNIQA ka qenë gjithmonë një mbështetëse e fortë, jo vetëm e Kombëtares së Futbollit, por në shumë disiplina sportive: në basketboll, atletikë etj.  Sot, ne jemi sponsor gjeneral të ekipeve të njohura në Shqipëri dhe Kosovë.

SIGAL UNIQA është sponsor gjeneral i klubit më të vjetër të futbollit në Shqipëri, Vllaznia e Shkodrës dhe e ekipit më të titulluar në basketbollin e Kosovës dhe jo vetëm, SIGAL Prishtina.

Sigurisht që, të mbështetësh djemtë e Kombëtares Kuqezi është një tjetër ndjesi pasi ata janë krenaria jonë kombëtare dhe ambasadorët tanë më të mirë nëpër botë.

Që prej vitit 2016, SIGAL UNIQA Group Austria vijon të ketë nën mbrojtje, duke siguruar rreth 500 lojtarë të të gjithë Federatës Shqiptare të Futbollit si dhe stafin drejtues të Federatës.

Nëse flasim për kualifikimin për në fazën finale të Europianit “Gjermani 2024”, përveç se gëzimit dhe emocioneve që na dhuroi, rrit përgjegjësinë tek kompania, pasi përveç kujdesit ndaj futbollistëve dhe stafit drejtues, duhet të mendojmë edhe për mijëra tifozë që do të shkojnë në Gjermani. Ndaj jemi duke përgatitur një sërë paketash Sigurimi që, udhëtimi dhe qëndrimi atje të jenë një eksperiencë e paharrueshme, por mbi të gjitha e sigurtë.

Sa i përket anës komerciale, sigurisht që të kesh emrin dhe logon në fanellat e Kombëtares dhe në stadium, është një reklamë e mirë për kompaninë.

MONITOR: Çfarë avantazhesh ofron për një biznes të qenit sponsor i Kombëtares së futbollit dhe a besoni se rezultatet e mira sportive përkthehen edhe në përfitime për imazhin/brandin e sponsorëve?

Ponari: Kombëtarja e Futbollit është vendi ky bashkohen të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe ekspozimi i brandit në evente të tilla sigurisht që përkthehet në një marketing të mirë për SIGAL UNIQA-n.

Shpeshherë, gjatë ndeshjeve të Kombëtares në stadium, teksa shfaqej në fushë reklama e SIGAL UNIQA, kam dëgjuar shumë njerëz teksa thonë “SIGAL-i, ku kam siguruar makinën”, apo “Ja kompania e sigurimit ku kam sigurimin e shëndetit apo të shtëpisë”. Pra, mbetet një reklamë e mirë.  Por më lejoni të ndalem në dy aspekte të rëndësishme:

E para, investimet e SIGAL UNIQA në sport por edhe në fusha të tjera, si arti, kultura etj, vijnë në kuadër të përgjegjësisë sociale. Si kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, e ndjejmë si detyrim moral karshi mbi 1.2 milion klientëve tanë që të jemi aktivë në jetën sociale të tre vendeve ku operojmë.

E dyta, mos harrojmë se, kostot e sponsorizimit janë gjithmonë më të larta se feedback-u që merr kompania.

Ndaj, unë vazhdimisht kam kërkuar një ligj të veçantë për Sponsorizimet në Sport, i cili fatkeqësisht ende mungon në Shqipëri dhe do nxiste bizneset të investonin në sport duke e bërë këtë të fundit më atraktiv dhe më të suksesshëm. Por deri tani insentivat kanë munguar, pavarësisht apelit të fortë që kemi bërë.

Mungesa e një ligji për sponsorizimet, që vazhdoj ta them, krijon vështirësi.

Edhe Kosova, një shtet i ri, e ka të përcaktuar me ligj sponsorizmin për aktivitetet sportive ku çdo biznes që sponsorizon sportin i njihet tatimi mbi fitimin në masën 30%.

Nuk e di nëse ka një vend të Europës që nuk ka ligj për sponsorizimet dhe një ligj të qartë… Ky ligj është gjithmonë i dyanshëm pasi ai formalizon sportin në të gjitha shtyllat e tij. Pikërisht këto ligje, në shtete të tjera, e kanë çuar sportin në nivele të larta.

Suksesi i Kombëtares na tregoi edhe njëherë se sporti gjeneron shumë të ardhura dhe prek thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Ndaj, nuk duhet të kënaqemi me kaq por të mendojmë edhe ne si shtetet fqinje dhe europiane për zhvillimin e mëtejshëm të sportit.

Nuk duhet të harrojmë se sport elitar, pa mbështetje financiare, nuk ka dhe nuk mund të ketë! Dhe Kombëtarja e Futbollit është shembulli më i mirë për të ilustruar këtë fakt.

“Sporti prodhon para”. Katari, që organizoi Kampionatin Botëror 2022, përveç se arkëtoi miliarda dollarë gjatë ndeshjeve, po njeh edhe një bum turistik.

E njëjta ndodhi edhe me Greqinë fqinje në vit 2004, mikpritëse të Lojërave Olimpike.

Si shumë ekspertë të ekonomisë, edhe unë jam i mendimit që Shqipëria duhet të besojë fort tek filozofia “sporti në funksion të ekonomisë”. Por siç e thamë më sipër, gjithçka duhet të nisë nga Ligji për Sponsorizimet në Sport.

LEXO EDHE: “Realizova një ëndërr”, SIGAL UNIQA, sponsor gjeneral i Vllaznisë/ Ponari: Jam mësuar të bashkëpunoj vetëm me kampionë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat