Qeveritë në të gjithë botën, sidomos pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë, janë duke forcuar masat për mbrojtjen e shtresave vulnerabël të shoqërisë.
Pensionet dhe stimujt ndaj tyre kanë qenë në fokus. Vendet e rajonit, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali Zi rritën ndjeshëm përfitimet e pensionistëve vitin e fundit.
Në Serbi, aktualisht pensioni mesatar është rreth 318 euro, pas një rritje me dy raunde në nëntor 2022 dhe janar 2023 me një total 20%. Gjithashtu, qeveria e Serbisë ka miratuar kartën e pensionistit, e cila është e vlefshme për pagesa me skonto në një seri shërbimesh.
Në Mal të Zi, sipas të dhënave zyrtare, pensioni mesatar arriti në 361 euro më 2023, duke u rritur me rreth 60 euro në harkun kohor të një viti.
Të dhënat zyrtare gjithashtu tregojnë se pensioni mesatar në Bosnjë dhe Hercegovinë arriti në 275 euro më 2023.
Pensionet në Bosnjë u rritën dy herë në gjysmën e parë të vitit 2023 me rreth 16%, një herë në janar dhe më pas në prill. Një rritje tjetër prej 5% do të hyjë në fuqi për pensionet e ulëta në nëntor të vitit 2023.
Pensionet në Bosnjë janë rritur me rreth 30% në krahasim me fundin e vitit 2021. Në një vit, Bosnja ka aplikuar pesë indeksime, sipas njoftimit të Qeverisë së Federatës së Bosnjë-Hercegovinës.
Në Maqedoninë e Veriut, pensionet u rritën mesatarisht me 9% këtë vit. Sipas të dhënave zyrtare, pensioni mesatar arriti në rreth 311 euro këtë vit.
Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të fundit të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, janë të regjistruar rreth 333.000 pensionistë, prej të cilëve rreth 90.000 persona marrin pensionin më të ulët 200 euro.
Në Shqipëri, pensioni mesatar arriti në 17,300 lekë në 6-mujorin e parë 2023, ose 164 euro. Të dhënat krahasuese tregojnë se pensioni mesatar në Shqipëri këtë vit është 48% më i ulët se në Serbi, 47% më i ulët se në Maqedoninë e Veriut, 54% më i ulët se në Mal të Zi dhe 40% më i ulët se në Bosnjë-Hercegovinë.
Pensioni mesatar në vendin tonë rezulton rreth 50% më i ulët se mesatarja rajonale, shkruan revista “Monitor”.
LEXO EDHE: Për një grua të dytë? Jo, jo! Të gjithë duhet të mendojmë për një pension të dytë