Qeveria greke ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin e Rodos-it pasi flakët e furishme vazhdojnë të djegin prej më shumë se 1 jave destinacionin e njohur turistik.
Vendimi në fjalë është marrë pasi autoritetet kanë paralajmëruar se gjashtë nga 13 rajonet e Greqisë do të përballen me “rrezik ekstrem” për vatra të reja zjarresh.
Ministria e Mbrojtjes Civile ka thënë se disa zona të Atikës, Greqisë Qendrore, rajonit të Peloponezit, Greqisë Perëndimore, Thesalisë dhe Maqedonisë Qendrore janë më të rrezikuara.
Këtu përfshihen Viotia, Evia, Fthiotida dhe Fokida në Greqinë Qendrore, Argolida dhe Korintia në Peloponez, Akaia në Greqinë Perëndimore, Larisa dhe Magnezia në Thesali dhe Selaniku në Maqedoninë Qendrore.
Ndërkohë, zyrtarët thonë se zona të tjera në Kretë, Peloponez, Ishujt Jon, Greqinë Perëndimore, Thesalinë dhe Maqedoninë Qendrore janë gjithashtu të rrezikuara nga flakët.