Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, është shprehur në një deklaratë të fundit se tre viruse mund të përhapen me shpejtësi në botë për shkak të fenomenit “El Nino”.
Ai ka përmendur Ethet Tropikale, Zikën dhe “chikungunya”, një virus që përhapet mes njerëzve nga pickimi i mushkonjës dhe shkakton dhimbje muskujsh dhe temperaturë.
“Për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi, OBSH-ja themeloi vitin e kaluar një nismë globale të arbovirusit, e cila synon të forcojë aftësinë e autoriteteve shëndetësore të shteteve në botë për të reaguar ndaj shpërthimit të mundshëm të këtyre viruseve. Kapacitetet e krijuara për Covid-19 mund të shfrytëzohen edhe për përballimin e këtyre viruseve”, tha kreu i OBSH .
Ethet Tropikale janë përhapur me shpejtësi së fundmi në Peru. Deri tani, autoritetet vendase kanë konfirmuar se 248 persona kanë ndërruar jetë të prekur nga ky virus, ndërsa rastet e raportuara janë gati 150 mijë, sipas të dhënë zyrtare të raportuara javën e kaluar, raporton Reuters. Ky virus mund të përhapet me shpejtësi pasi shirat e rrëmbyeshëm të shkaktuar nga fenomeni klimatik El Nino çojnë në shtimin e mushkonjave, të cilat transmetojnë Ethet Tropikale.
Që nga prilli i këtij vitit, në Argjentina janë zbuluar 41 mijë raste me këtë virus. Po ashtu, edhe Bolivia ka vendosur autoritetet në gatishmëri në rajonin e Santa Cruz ku janë infektuar mijëra njerëz.
Fenomeni klimatik El Nino nxit ciklonet tropikale në Paqësor, duke rritur sasinë e reshjeve të shiut.
LEXO EDHE: “El Nino” nis ciklin e tij në glob, shkencëtarët të shqetësuar