Pensioni shtetëror nuk mjafton, ndaj shqiptarët po vijojnë të investojnë pak nga të ardhurat e tyre në skemat private. Deri në fund të marsit arriti në mbi 37 mijë numri i qytetarëve që kontribuojnë vullnetarisht sot për të “pleqëruar me dinjitet” nesër.
Të dhënat janë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Shifra është zgjeruar me 542 anëtarë apo rreth 1.5%.
“Mendoj që jo vetëm kriza që jemi duke u përballur, por vetë rënia e kontribuesve në sistemin e pensioneve mbart pasiguri të madhe që jo gjithmonë plotësohen nga skema e sigurimeve shoqërore. Shoqëritë e zhvilluara e kanë këtë sistem prej vitesh. Duhet të ndryshojë edukimi i popullatës me sigurinë që ofrojnë këto shërbime se në shkallë të madhe qytetarët janë mosbesues për shkak të mosnjohjes ligjore, por dhe mungesave te fushatave informuese”, shprehet sociologia Entela Binjaku.
Rritja e numrit të kontribuuesve rrjedhimisht ka shtuar edhe vlerën e parave të investuara te pensionet private. Në fund të prillit totali i aseteve arriti në gati 6 miliardë lekë, duke u zgjeruar me gati 300 milionë lekë krahasuar me fund-vitin e shkuar.
Por me gjithë rritjen vetëm 2.9% e të punësuarve në vend kontribuojnë vullnetarisht në skemat private të pensioneve.
Për përfaqësues të tregut kjo vjen si pasojë e njohurive të pakta që qytetarët kanë në këtë drejtim.
“Thjesht ideja që kursen taksa sot është benefiti i parë i cili për disa vite rresht është një shumë e madhe. Nëse ti paguan 16 mijë lekë në muaj, për 20 vite mund të kesh kursyer 15 mijë euro taksa. Mungon një ligj, ajo që thamë kolona e dytë, e cila ka benefite për ekonominë për shoqërinë. Kur del në pension do marrësh nga shteti pensionin minimal, do marrësh nga kolona e dytë, pensionin nga punësimi, i cili është deri në 40% të pagës tënde dhe pensioni privat 20-40%. Evropa s’ka pensione më të larta, por ka tre pagesa pensionesh ndërsa ne vetëm një”, sqaron Elvis Ponari, kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve Private dhe Fondeve të Investimit dhe njëherazi CEO i Fondit më të madh të pensioneve private vullnetare në Shqipëri, SIGAL UNIQA Fond Pensioni.
Pas “dritës jeshile” në komisionet përkatëse parlamentare, në fillim të qershorit, projektligji për pensionet private pritet të kalojë për miratim në seancë plenare.
Veç krijimit të një kolone tjetër në skemën aktuale të pensioneve, baza e re ligjore synon më shumë lehtësi në taksa si për të punësuarit, ashtu edhe për punëdhënësit. /A2
LEXO EDHE: Ponari: Kolonat private janë zgjidhja afatgjatë e problemit të pensioneve