Policia ka marrë masa për mbarëvajtjen e sigurisë së ndeshjes Tirana-Partizani më 17 maj në orën 18:30 te stadiumi “Air Albania”.
Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes.
– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” , bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, “Libri Universitar” pas Presidencës rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi;
– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, rruga “Papa “Gjon Pali” – stadiumi.
Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar, thuhet në njoftim.
Policia bën me dije gjithashtu se:
- Nuk do të lejohen të futen në stadium shtetas pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).
- Tifozët duhet të kenë me vete dokument identifikimi ose në të kundërt nuk do të lejohet hyrja në ambientet e stadiumit.
- Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.