Një stuhi e fuqishme që po shkon drejt Australisë Perëndimore (WA) është intensifikuar në një sistem të kategorisë së pestë.
Cikloni i rëndë tropikal Ilsa pritet të godasë Port Hedland, në veri të Australisë, të enjten në mbrëmje. Një alarm i kuq është lëshuar në të gjithë rajonin, duke urdhëruar mijëra njerëz të strehohen menjëherë.
Ndërsa Australia veriore është mësuar me ciklonet, kjo stuhi parashikohet të jetë më e forta që ka goditur rajonin në pothuajse 10 vjet.
“Bërthama shumë shkatërruese” e stuhisë do të sjellë erëra “ekstreme” deri në 315 km/orë (195 mph) në pjesë të rajoneve Kimberley dhe Pilbara, tha Byroja e Meteorologjisë.
“Kërcënohen jetët dhe shtëpitë. Jeni në rrezik dhe duhet të veproni menjëherë,” tha Departamenti i Shërbimeve të Zjarrfikësve dhe Emergjencave, kur alarmi i kuq u dha të enjten pasdite, sipas kohës lokale.
Banorët, duke përfshirë rreth 15,000 njerëz në Port Hedland, porti më i madh eksportues i mineralit të hekurit në botë, janë urdhëruar të strehohen brenda dhe të qëndrojnë larg dyerve dhe dritareve.
“Është tepër vonë për t’u larguar. Qëndroni në shtëpi derisa të bëhet e qartë nga autoritetet”, thuhet në paralajmërimin e alarmit të kuq.