17.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBien importet për janarin, kafja shënon rënie të konsumit

Bien importet për janarin, kafja shënon rënie të konsumit

Konsumi i kafesë në bare është kthyer në një stil jetese për shqiptarët, ku shumë prej tyre nuk mund ta nisin ditën pa kafe.

Por në këtë fillimvit, importet e kafesë për muajin janar janë ulur 30% krahasuar me muajin janar të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Në fillim të këtij viti janë importuar 534 tonë kafe, sasia më e ulët që nga viti 2019.

Në raport me mesataren e importit të kafesë për muajin janar të 4 viteve të fundit (2019-2022) rënia është 20%. Pakësimi i importeve të kafesë ka nisur që vitin e kaluar. Në total, importet e kafesë për 2022 u ulën 14% krahasuar me 2021.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve pohon se rënia e importeve është ndikuar nga çmimet e rritura të kafesë, ku shumë operatorë kanë magazinuar blerjet në muajin dhjetor.

Fryrja e blerjeve për fundviti theksohet edhe nga kontabilistët, ku sipas Sotiraq Dhamos, bizneset e shërbimit gjithmonë në muajin dhjetor për të amortizuar humbjet nga rritja e çmimeve magazinojnë mallin e blerë.

Përfaqësues të shoqatës gjithashtu shtojnë se në këtë fillimviti ka rënie të konsumit të kafesë 15 deri 20% për shkak të tkurrjes së fuqisë blerëse nga rritja e përgjithshme e çmimeve të produkteve të shportës ushqimore.

Në këtë periudhë në bare dhe restorante ka rënë konsumi edhe për çajet dhe pijet alkoolike.

Vitin e kaluar, rënia e konsumit në këto sipërmarrje nisi që në muajt shkurt-mars kur pati rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të lëndëve të para nga importi për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve rriti presionin për shtrenjtim të çmimeve në bare dhe restorante.

Konsumi pati zvogëlim edhe në 2021, për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.

Në vend kanë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës.

Gjithashtu sektori po përballet edhe me një tjetër krizë atë të mungesës së fuqisë punëtore. Deri në 2019-n, sipas të dhënave të INSTAT, të punësuar në bare dhe restorante ishin rreth 45,000 persona, ku megjithatë vlerësohet se sektori ka informalitet të lartë.

Shumë subjekte bare dhe restorante e kanë të vështirë të gjejnë punonjës të rinj. Edhe ata pak punonjës që kanë mbetur në vend kërkojnë pagesa të larta.

Kjo gjendje vështirësoi edhe më tepër aktivitetin e këtyre strukturave për vitin e kaluar. Në bare dhe restorante sipas të dhënave të shoqatës ka mungesa prej 15,000 vende punësh./ Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat