Duke filluar nga sot, qeveria suedeze ka vendosur të ndalojë hyrjen në vend të të gjithë personave që udhëtojnë nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Brunei, Japonia dhe Serbia, pasi këto shtete janë hequr nga lista e vendeve të sigurta.
Vendimi për ndalimin e hyrjes për gjashtë vendet e mësipërme, është shpallur nga Ministria e Drejtësisë e Suedisë dhe hyn në fuq nga kjo e hënë, më 20 shtator, raporton SchengenVisaInfo.com.
“Qeveria ka miratuar ndryshime për ndalimin e përkohshëm të hyrjes në Suedi, në përputhje me rekomandimet e përditësuara të Këshillit të Bashkimit Europian për udhëtime në shtetet anëtare të BE-së”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë.
Kjo do të thotë se nga sot, udhëtarët nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Brunei, Japonia dhe Serbia, mund të udhëtojnë në Suedi vetëm për qëllime absolutisht të nevojshme.
Udhëtimi për qëllime thelbësore lejohet vetëm për ata që kanë një leje qëndrimi suedeze, udhëtarët që kalojnë tranzit në territorin e Suedisë, punonjësit e kujdesit shëndetësor, udhëtarët që kryejnë detyra thelbësore, studiuesit në fushën e kujdesit shëndetësor dhe mjekësor dhe personeli i moshuar, midis të tjerëve.
Lexo edhe: A e mbulon polica ime e sigurimit Variantin Delta të Coronavirusit?
Udhëtarët e vaksinuar së shpejti mund të përjashtohen nga ndalimi i hyrjes, por nuk është dhënë ende një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë çështje.
Nga ana tjetër, ministria ka njoftuar se nuk do të ndalohet hyrja e personave që mbërrijnë nga Uruguai.
Shtetasit e Uruguajit që planifikojnë të vizitojnë Suedinë, tani do të lejohen të hyjnë në vend me kusht që të tregojnë dëshmi se janë shëruar ose janë vaksinuar ndaj COVID-19.
Ndalimi i hyrjes për udhëtimet jo thelbësore për ata që vijnë nga një vend jashtë Suedisë, u prezantua në mars të vitit të kaluar për shkak të përhapjes së COVID-19 në vend dhe në botë. Fillimisht, ndalimi ishte planifikuar të qëndronte në fuqi vetëm për 30 ditë, por që atëherë është zgjeruar.
Në gusht, SchengenVisaInfo.com raportoi se Suedia ka vendosur të zgjasë ndalimin e hyrjes për shtetasit e vendeve të treta jashtë BE-së, për dy muaj të tjerë, deri në fund të tetorit.
Bazuar në shifrat nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), Suedia ka arritur të vaksinojë plotësisht 76.3 për qind të popullsisë së saj prej 10.23 milionë banorësh.