Italia dhe Gjermania janë bashkuar kundër ndalimit të motorëve me djegie të brendshme në vitin 2035. Në Bruksel, në mbledhjen e ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian, Italia do të shprehë qëndrimin e saj kundër propozimit të rregullores europiane që parashikon ndalimin e prodhimit dhe të shitjes së automjeteve me motorë termikë duke filluar që nga 1 janari 2035. Lajmi është konfirmua rnga ministria italiane e ambjentit dhe sigurisë energjetike.
Të njëjtin qëndrim do të mbajë dhe Gjermania. Ministri gjerman i transportit Volker Vissing paralajmëroi me një veto në Bruksel për sa i përket ndalimit të motorëve me djegie në 2035-ën, nëse komisioni nuk do të përgatisë një rregullore për sa i përket e-fuels. Përfaqësuesi i liberalëve në qeverinë e kancelarit Olaf Scholz, u shpreh se përdorimi i karburanteve sintetike për automjetet duhet të jetë i mundur. Ai shtoi se për momentin nuk ka asnjë propozim në këtë drejtim por vetëm deklarata kundërshtuese nga komisioneri Frans Timmermans.
Në prag të mbledhjes së përfaqësuesve të përhershëm të shtuar në BE, të cilët janë ftuar të japin dritën e gjelbër të rregullores europiane, Italia dhe Gjermania rihapin një cështje, që nga ana e komisionit europian konsiderohet e mbyllur. Por Ministria italiane e ambjentit shpjegon se objejtivat në mbështetje të ambientit duhen përmbushur nëpërmjet një tranzicioni ekonomikisht të qëndrueshëm dhe njësoj i baravartë.
Qëndrimi kundër i Italisë në Bruksel, do të lëkundë dhe më shumë miratimin e rregullores. Kundërshtimit të Romës i shtohen dyshimet e Berlinit dhe qëndrimet e Bullgarisë dhe Polonisë.
Të gjithë së bashku, katër vendet do të përbënin një bllok minoriteti vendimtar për të ndaluar miratimin e kësaj rregulloreje. Ratifikimi formal dhe përfundimtar i saj parashikohet për në datën 7 mars të këtij viti.