Kosova feston këtë të premte të 17 shkurtit, 15-vjetorin e Pavarësisë. Në këtë datë, të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli shtetin më të ri në Europë, të pavarur, sovran dhe demokratik.
Ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës për një kohë të gjatë ka qenë temë e diskutueshme, pasi Serbia ka kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës duke e cilësuar të paligjshme. Për këtë ajo kërkoi edhe opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2008, kërkesë që u hodh poshtë nga kjo gjykatë më 22 korrik 2010.
Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE vendosi që vendet anëtare të ishin të lira për të vendosur nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës.
Shumica e vendeve të unionit e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe Presidenti i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.
LEXO EDHE: 15 vjet Pavarësi, 15% zbritje në çdo sigurim vullnetar nga SIGAL UNIQA Kosovë