Të paktën 29.605 njerëz kanë humbur jetën nga dy tërmetet e forta që goditën Turqinë mëngjesin e 6 shkurtit, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
Tërmetet me magnitudë 7,7 dhe 7,6, me qendër në provincën Kahramanmaraş, u ndien nga 13 milionë njerëz në 10 provinca në Turqinë dhe gjithashtu prekën disa vende në rajon, përfshirë Sirinë.
Më shumë se 233.000 pjesëtarë të ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit po punojnë aktualisht në terren, tha AFAD.
Sipas agjencisë, rreth 148.000 njerëz janë evakuuar nga rajonet e goditura nga tërmeti deri më tani.
Ndërkohë, qeveria turke deri më tani ka lëshuar 113 urdhër-arresti për personat e përfshirë në ndërtimin e pallateve të shembura.
Policia turke ka bërë të mundur arrestimin e 12 personave, kontraktorë ndërtimesh.
Priten arrestime të tjera thotë BBC, të cilat shihen si një tentativë fajësimi për pasojat shkatërrimtare të tërmetit.
Prej shumë vitesh ekspertët kishin paralajmëruar se ndërtimet e reja në Turqi ishin të pasigurta si pasojë e korrupsionit dhe politikave të qeverisë.
Këto politika lejuan një amnisti për kompanitë e ndërtimit, të cilat kishin shkelur rregullat e si pasojë sollën, një bum ndërtimesh edhe në zonat e prekura nga tërmeti.
Me mijëra godina u rrafshuan nga tërmeti duke ngritur pyetjen nëse në këtë fatkeqësi natyrore pati impakt e ndihmuan dështimet njerëzore.