15.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSiguracionet 2022/ Tregu i orientuar te Jo Jeta. Sigurimet e detyrueshme mbi...

Siguracionet 2022/ Tregu i orientuar te Jo Jeta. Sigurimet e detyrueshme mbi ato vullnetare

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka publikuar raportin mbi ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-dhjetor 2022.

Sipas AMF, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-dhjetor 2022 kapën vlerën 21,033 milionë lekë, ose 9.16% më shumë se në janar-dhjetor 2021.

Gjatë periudhës janar-dhjetor 2022, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,325,231 me një rritje prej 12.93% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.75% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.01%.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.84% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.16% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-dhjetor 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,830 milionë lekë, ose 2.39% më shumë se në periudhën janar-dhjetor 2021.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-dhjetor 2022 kapën vlerën 4,445 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 11.53% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-dhjetor 2022 arritën rreth 13,073 milionë lekë, ose 10.06% më shumë se në periudhën janar-dhjetor 2021.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-dhjetor 2022, pati një rritje prej 6.37% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 3.90% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-dhjetor 2022 pati një rritje prej 38.23% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 62.10% krahasuar me periudhën janar-dhjetor 2021.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-dhjetor 2022, pati një rritje 11.39% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-dhjetor 2021. Edhe numri i kontratave u rrit me 21.18%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-dhjetor 2022 arritën rreth 7,959 milionë lekë, 7.71% më shumë se në periudhën janar-dhjetor 2021. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 9.15% krahasuar me periudhën janar-dhjetor 2021.

Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-dhjetor 2022, patën një rritje me 4.93%  kundrejt periudhës janar-dhjetor 2021.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-dhjetor 2022 siguruan mbi 3,308 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 64.85%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 24.72% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-dhjetor 2022, vihet re një rritje prej 4.99% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.55% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-dhjetor 2021.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-dhjetor 2022, arritën në rreth 1,387 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 14.11% në krahasim me periudhën janar-dhjetor 2021.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-dhjetor 2022, arritën rreth 1,685 milionë lekë, ose 17.84% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

LEXO EDHE: Shtohen blerjet online/ SIGAL UNIQA, pararojë e tregut të sigurimeve. Siguracioni në celularin tuaj dhe dhurata çdo muaj

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat