Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten një problem serioz për Shqipërinë.
Çdo ditë dëgjojmë për disa disa aksidente, një pjesë e tyre fatkeqësisht edhe me viktima.
Në 11-mujorin e vitit 2022, sipas INSTAT, janë regjistruar 1.060 aksidente rrugore me 1.479 të aksidentuar.
Edhe ditët e fundit ka patur aksidente të rënda rrugore ku nuk kanë munguar as viktimat.
LEXO EDHE: Aksidentet rrugore/ 2 viktima dhe 3 të plagosur në 24 orët e fundit
Më i fundit është ai i regjistruar mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Orikum-Llogara, pranë fushës së sportit, ku viktimë mbeti këmbësori 17-vjeçar Elio Hamiti.
Adoleshenti u përplas nga automjeti tip “Mercedes Benz” që drejtohej nga ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano.
Elio Hamiti mori plagë të rënda nga aksidenti dhe u dërgua në spitalin e Himarës ku dhe përfundoi në gjendje kome. Më pas 17-vjeçari u transportua drejt Traumës në Tiranë ku dhe ndërroi jetë.
LEXO EDHE: U përplas me makinë nga Vasil Bollano, ndërron jetë në spital 17-vjeçari
Ndërsa ish-kryetari i Bashkisë Himarë, 66-vjeçari Vasil Bollano është arrestuar në flagrancë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.
Sipas nenit 290 të Kodit të Procedurës Penale: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kur ka shkaktuar vdekjen e një personi, dënohet me burgim nga 2 deri në 10 vjet”.
PSE DUHET TË JEMI TË SIGURUAR GJATË GJITHË KOHËS
Një aksident, veç pasojave materiale apo fizike, ka edhe me kosto të larta financiare për përgjegjësin e aksidentit, gjë që e thellon edhe më shumë ngjarjen. Ndaj vazhdimisht kemi apeluar tek qytetarët që të bëjnë kujdes me qarkullimin në rrugë, duke respektuar normat e qarkullimit, duke vendosur rripin e sigurimit por në të njëjtën kohë të marrin masa për t’i paraprirë çdo rreziku potencial, duke kryer sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.
Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta, ose TPL, na mbron duke ofruar garanci dhe pagesë financiare për çdo dëm që me mjetin tonë i shkaktojmë palëve të treta.
Kompanitë e Sigurimit nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndihmojnë drejtuesin e automjetit shkaktar të dëmit të heqë këtë përgjegjësi nga vetja, duke i marrë përsipër mbulimin e dëmit të shkaktuar.
Në të kundërt, automatikisht shkaktari paguan nga xhepi çdo dëm që shkakton tek të tretët, që mund të jetë edhe qindra milionë lekë.
Ja limitet e dëmshpërblimit që mbulon Siguracioni i Detyrueshëm i Automjetit, TPL:
Për dëme pasurore, me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh të ardhura nga një ngjarje sigurimi:
- për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 150 000 000 lekë;
- për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme 200 000 000 lekë;
- për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 50 000 000 lekë;
- Për dëme jopasurore, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh, të ardhura nga një ngjarje sigurimi, si më poshtë:
- dëmi moral dhe ekzistencial, nga vdekja apo paaftësia, e pjesshme e përhershme 1,000,000 lekë;
- dëmi moral dhe ekzistencial, nga dëmtime të tjera 500 000 lekë;
- dëmi moral, nga paaftësia totale, e përhershme 2 000 000 lekë;
- dëmi ekzistencial, nga paaftësia totale e përhershme 1 500 000 lekë;
- dëmi biologjik nga vdekja apo paaftësia totale e përhershme 1 000 000 lekë;
- kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në një ngjarje të sigurimit, 20 000 000 lekë;
Për dëme, të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës, nga një ngjarje:
– për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 15 000 000 lekë;
– për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme 20 000 000 lekë;
– për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 10 000 000 lekë.
Në Shqipëri, rreth 23% e mjeteve të pasiguruara, dëmet prej tyre në rritje
Në Shqipëri është një numër i lartë i mjeteve të pasiguruara.
Sipas të dhënave nga DPSHTRR, në fund të vitit 2021 numri i automjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht në Shqipëri, ishte rreth 741 mijë.
Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për të njëjtin vit kompanitë e sigurimeve raportuan 568 mijë polica sigurimi të shitura në klasën e sigurimit motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta.
Nga raporti mes këtyre shifrave rezulton se më pak se 77% e mjeteve të regjistruara janë siguruar sipas kërkesave të ligjit për sigurimet e detyrueshme motorike.
23% e totalit, ose rreth 173 mijë mjete, rezultojnë të pasiguruara.
Shifra në vetvete është shumë e lartë dhe përfaqëson një vlerësim maksimal, pasi me shumë mundësi një pjesë e madhe e këtyre mjeteve nuk qarkullojnë rregullisht.
Si mund të flitet ende në vitin 2022 për automjete që lëvizin të pasiguruara? Ku është Policia e Shtetit, e cila ka detyrim të kontrollojë çdo automjet që të mos qarkullojë pa siguracionin e detyrueshëm?
Si mund të flitet për drejtues mjetesh që sigurojnë makinën nga frika e policit në rrugë dhe nuk sigurojnë shëndetin e tyre?
Kujdes! Mos udhëtoni nëse automjeti juaj nuk ka siguracionin e nevojshëm pasi pasojat finanaciare mund të jenë tepër të larta dhe mund të çojnë në rrënim ekonomik për gjithësecilin.