Këto pamje përmbytjesh të furishme janë xhiruar në qytezën turistike të Kumlluxhasë, rreth 90 kilometra në jug të Antalias.
Një person humbi jetën, ndërsa disa të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi, reshjet e dendura të orëve të fundit krijuan një situatë katastrofike.
Rrugët u shndërruan në lumenj të furishëm që morën përpara disa automjete dhe përmbytën dhjetëra biznese.
Mediat turke raportojnë se situata është më e rëndë në provincën Kumluca, ku janë shkatërruar ura, qindra shtëpi e shumë makina kanë përfunduar në ujë.
Kryetari i Bashkisë, Mustafa Keleoglu, u shpreh se autoritetet janë në gatishmëri, ndërsa banorëve iu bë thirrje që të mos dalin nga shtëpitë e tyre.
“Një fatkeqësi e tillë nuk kishte ndodhur në 50 vitet e fundit. Shumë banesa janë përmbytur në katet e para të tyre. Qytetarët të jenë të kujdesshëm që të mos ketë pasoja në njerëz”, tha Mustafa Keleoglu.
LEXO EDHE: Përgjegjshmëria kolektive dhe rëndësia e Sigurimit të Pronës në Shqipëri