EFSA (Autoriteti Evropian për Sigurinë Ushqimore) po rrit përpjekjet e saj për të ndaluar përhapjen e etheve afrikane të derrave në Evropë duke zgjeruar fushatën e saj në nëntë shtete të tjera.
Verën e kaluar, EFSA nisi një fushatë të madhe për të rritur ndërgjegjësimin ndaj sëmundjes në Evropën Jug-Lindore. Fushata u krye në partneritet me autoritetet vendore në shtetet që përbëjnë “rajonin shqetësues” — Shqipëri, Bosnja dhe Hercegovina, Kroaci, Greqi, Kosovë, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbi dhe Slloveni — për shkak të afërsisë së tyre me shtetet ku virus është i pranishëm.
EFSA po e shtrin tashmë fushatën – fokusuar kryesisht tek fermerët – në Bullgari, Republikën Çeke, Lituani, Letoni, Poloni, Sllovaki, Estoni, Hungari dhe Rumani.
Nikolaus Kriz, kryetari i Njësisë së Shëndetit të Kafshëve dhe Bimëve të EFSA, tha: “Si një organizatë shkencore, ne jemi duke punuar në mënyrë të palodhshme për të prodhuar rezultate dhe për të dhënë rekomandime që mund të ndihmojnë shtetet e kërcënuara nga ethet afrikane të derrave të mbrojnë kafshët dhe ekonominë e tyre.
“Vitin e kaluar ne vendosëm të zbatonim njohuritë tona shkencore në terren dhe të tregonim se EFSA është e përkushtuar për të ndihmuar fermerët dhe personat e tjerë që ndikohen nga kjo sëmundje. Fushata u prit mirë në shtetet e para ku u aplikua dhe tani ne po shkojmë më tej me mesazhin tonë për të zbuluar, parandaluar dhe raportuar.”
Fushata mbështet përpjekjet e vazhdueshme të Komisionit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare që synojnë asgjësimin e sëmundjes në Evropë.
Çfarë janë ethet afrikane të derrave?
Ethet afrikane të derrave (ASF) është një sëmundje virale që prek derrat e butë dhe derrat e egër. Virusi është i padëmshëm për njerëzit, por ka shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike në shumë shtete. Nuk ka vaksinë, kështu që një përhapje e infektimeve mund të kërkojë therjen e një numri të madh të derrave që rriten në fermat e zonave të prekura.
Objektivat dhe audienca
Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe njohjen e kësaj sëmundje në 18 shtete dhe u drejtohet grupeve të njerëzve dhe individëve që janë në kontakt me derrat e butë dhe derrat e egër, veçanërisht fermerët që merren me rritjen e derrave. Ajo po zbatohet me ndihmën e paçmuar të organizatave veterinare vendore, grupeve të fermerëve, shoqatave të gjuetisë, policisë kufitare dhe organeve të tjera përkatëse.
Zbulo, parandalo, raporto
Duke qenë se përhapja e ASF-së mund të ketë pasoja shkatërruese; zbulimi, parandalimi dhe raportimi janë elementët thelbësor për të frenuar këtë sëmundje. Këto janë fjalët kyçe të fushatës.
Zbuloni më shumë në faqen e internetit të fushatës: https://efsa.gitlab.io/multimedia/asf/index.html#/al/