Nuk kanë të ndalur aksidentet rrugore në vendin tonë.
Më i fundit, me pasojë 3 persona të plagosur, ka ndodhur mesditën e sotme në Elbasan.
Aksidenti u regjistrua pranë fshatit Papër, në aksin Elbasan-Peqin.
Sipas raportimit të mediave, në aksident është përfshirë një makinë tip “Ford”, ku shoferi ka humbur kontrollin dhe është përplasur fillimisht me një bordurë në rrugë dhe më pas makina ka bërë disa rrotullime duke përfunduar në cep të saj.
Aksidentet rrugore mbeten një prej problematikave më të mëdha të Shqipërisë, që vit pas viti shkaktojnë dhjetëra viktima e qindra të lënduar.
Shifrat tregojnë për një rritje të vazhdueshme të aksidenteve, kjo si pasojë e problemeve me sinjalistikën, mungesën e kujdesit të shoferëve, këmbësorëve etj.
Në një raport të mëparshëm, Banka Botërore e rendiste Shqipërinë në vendin e tretë në Europë për normën më të lartë të vdekjeve në rrugë, përkatësisht 94 vdekje për 1 milion banorë.
Por dëmet shëndetësore shkaktuar në aksidentet rrugore, ashtu siç është faktuar edhe nga emisionet investigative në televizione të ndryshme, janë kthyer gjithnjë edhe më shumë në nje mundësi për gjueti mjeshtërore nga ana e avokatëve.
Ata i ‘peshkojnë’ klientët e tyre në spitale apo morgje ku ‘gjejnë rastin’ dhe hidhen në sulm duke bërë premtime të menjëhershme.
Ata trumbetojnë se ‘gjoja’ kompanitë e sigurimit nuk paguajnë dhe se ata, pra këta avokatë, i detyrojnë kompanitë që të paguajnë.
Një prokurë e posaçme dhe e menjëhershme për shkak të gjendjes së vështirë ku mund të ndodhen klientët krijon një nyje lidhëse nëpërmjet së cilës mbërthehet viktima e rradhës.
Nëpërmjet prokurës bllokohet pasuria, shtëpia, biznesi apo çfarëdolloj aseti tjetër që familja mund të ketë dhe këtu fillon kalvari që mund të zgjasë nga 2 deri në 5 vjet.
Për këtë arsye, qytetarët që përfshihen në aksidente rrugore duhet ti drejtohen direkt kompanisë së sigurimit, duke shmangur avokatët apo sekserët.
Duke iu drejtuar palëve të treta, duke zgjedhur ndërmjetës qytetarët nuk bëjnë gjë tjetër veçse humbasin gjysmat e parave që u takojnë. Ndoshta edhe të gjitha pasi gjithçka merret nga avokati.
Drejtohuni kompanive të sigurimeve. Nëse kompania nuk ju paguan brenda afatit të caktuar nga momenti që ti dorëzon dokumentar që është maksimumi tre muaj, atëherë drejtohuni gjykatës.