13.5 C
Tirana
Tuesday, April 23, 2024
spot_img
Faqe KryesoreCovid-192022, mundësitë dhe rreziqet

2022, mundësitë dhe rreziqet

Viti ku sapo kemi hyrë e gjen Shqipërinë në pikë takimi të rëndësishme me historinë e saj.

Ringritja ekonomike pas dëmit të shkaktuar nga pandemia, zhvillimet teknologjike mbarëbotërore, apo perspektivat e reja për turizmin, krijojnë premisa për të besuar se ky vit do të jetë më i begatë për familjet dhe bizneset shqiptare. Nga ana tjetër, problemet e shumta kronike dhe strukturore të shoqërisë sonë, të bëjnë dyshues mbi aftësinë e ekonomisë sonë për të përfituar nga këto mundësi.

Së pari, po rendisim lajmet e mira. Megjithëse varianti Omicron i koronavirusit po vazhdon të shkaktojë probleme, janë rritur disi shpresat se cikli i pandemisë po i afrohet fundit. Imuniteti i përfituar në formë natyrale, ose falë vaksinave, ka bërë që varianti më i fundit i virusit të shkaktojë shumë më pak probleme shëndetësore.

Ekonomitë e vendeve kryesore në botë duket se po e marrin veten me ritme të shpejta. Ky nuk mund të mos jetë një lajm pozitiv edhe për Shqipërinë. Megjithëse gjatë vitit 2021, ekonomia shqiptare u rimëkëmb më shpejt se pjesa tjetër e rajonit, falë edhe masave kufizuese më të pakta, ky ritëm nuk është i qëndrueshëm, nëse nuk mbështetet nga partnerët tregtarë kryesorë.

Shenjat e para janë që pikërisht kjo po ndodh. E gjithë Eurozona, e cila vuante prej vitesh efektet e krizës financiare të viteve 2008-‘11, po shfaq më në fund norma rritje të larta e të qëndrueshme. Italia dhe Greqia, vende të rëndësishme për ekonominë shqiptare, janë ndër përfitueset kryesore të kësaj rimëkëmbje.

Vetë liderët e Bashkimit Europian duken të vendosur ta mbështesin rimëkëmbjen, duke investuar, për herë të parë, nëpërmjet borxhit të përbashkët – një instrument që nuk u pranua në krizën e fundit financiare. Rritja e investimeve publike në Europë, e sidomos në vendet partnere me Shqipërinë, do të krijojë, me gjasë, edhe rritje të kërkesës për produkte dhe shërbime shqiptare.

Periudha post-pandemi po karakterizohet edhe nga një adoptim edhe më i shpejtë i inovacioneve teknologjike. Puna jashtë zyrës, shpesh e konsideruar si tabu, tani po pranohet nga thuajse çdo kompani e institucion i rëndësishëm. Shqipëria mund dhe duhet të përfitojë nga kjo tendencë botërore. Duke përmirësuar infrastrukturën lokale, profesionistë që punojnë për kompani ndërkombëtare mund të jetojnë në vendin tonë, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë tonë.

Po ashtu, investimet në një sërë teknologjish të reja, siç është energjia diellore, në të cilën Shqipëria ka një potencial të lartë, do jenë në fokus të institucioneve, por edhe kompanive ndërkombëtare. Kjo po ashtu është një tendencë që nuk duhet të na shpëtojë.

Së fundmi, turizmi shfaqi shenja të forta rimëkëmbje vitin e kaluar. Korriku dhe gushti arritën shifra rekord në numrin e vizitorëve. Mbi të gjitha, vendet e origjinës së vizitorëve ishin më të shumta se çdo vit më parë. Arsyeja dihet: me mbylljen e vendeve të Bashkimit Europian, turistë nga vende si Lindja e Mesme apo Azia Lindore kthyen vështrimin nga një vend europian që nuk po aplikonte mazat kufizuese.

Megjithëse ky avantazh nuk ka gjasa të ekzistojë këtë vit, nuk ka arsye pse Shqipëria të mos tentojë të shndërrojë përvojën e këtij viti, në një tendencë të qëndrueshme, e të tërheqë turistë nga këto tregje të reja. Turizmi, i cili në mënyrë direkte dhe indirekte, zë thuajse 25% të ekonomisë sonë, do të përjetonte një hop të rëndësishëm cilësor nëse do të vazhdonte të tërhiqte tregjet e sapozbuluara.

Nga ana tjetër, problemet e shumta ekonomike dhe politike që përjeton vendi të bëjnë të dyshosh se këto tendenca, pasojë e zhvillimeve pozitive përtej kufijve tanë, do të krijojnë rezultatin e pritur në vend.

Investimet e nevojshme publike, që duhen kryer për të përfituar nga këto tendenca, siç janë linjat e internetit, investimet energjetike apo rrugore, vështirë se mund të përballohen nga financat publike të rënduara shqiptare. Normat e larta të borxhit publik, thuajse sa 80% e PBB-së, si dhe kostot e larta të kontratave koncesionare të viteve të fundit dhe në tërësi qasja e menaxhimit koncesionar të vendit, kufizojnë aftësitë e qeverisë për të ndërmarrë investime të tjera.

Një pjesë e këtyre investimeve mund të kryheshin nga sektori privat, nëse tregu do të krijonte hapësirën dhe konkurrencën e duhur. Për shembull, investimet në linjat e shpejta të internetit mund të kryheshin në një kohë më të shpejtë nga kompani private, nëse vendkalimi i tyre do ishte i paracaktuar dhe i hapur për konkurrim të ndershëm. Investimet në panele diellore mund të kryheshin nga familje dhe biznese, nëse lidhja e tyre me sistemin kombëtar do ishte e mundur.

Fatkeqësisht, në këto fusha, si dhe në shumë të tjera, tregu shqiptar preket nga problemet e zakonshme: mungesë qartësie nga rregullatorët, kontrata preferenciale, konkurrencë e padrejtë dhe largim investitorësh. Jo rastësisht, edhe raportet e fundit ndërkombëtare e vënë gjithmonë e më shumë theksin mbi këto probleme strukturore, sa ekonomike, aq edhe politike.

Ekonomia botërore post-COVID duket e gatshme për të përjetuar një zhvillim të shpejtë. Nëse Shqipëria përfiton nga kjo tendencë, varet tërësisht nga zgjedhjet që do të bëjnë vendimmarrësit.

/Monitor 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat