20.5 C
Tirana
Tuesday, August 16, 2022
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetZhvillimi i biznesit, siguria se “Shqipëria do të bëhet” dhe integrohet në...

Zhvillimi i biznesit, siguria se “Shqipëria do të bëhet” dhe integrohet në BE

Nga Avni Ponari *

Rreth 100 vjet më parë, në Prillin e vitit 1922, shteti shqiptar, i cili mezi po mëkëmbej, vendosi marrëdhënie diplomatike me Japoninë. Ishte koha kur shtetet më të mëdha dhe më të rëndësishme të botës po e njihnin dhe po lidhnin marrëdhënie diplomatike me vendin tonë, ndër to Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar.

Viti 2022 shënon shekullin e parë të këtyre marrëdhënieve. Me gjithë ndërprerjet  në vitet e regjimit komunist, ja ku jemi sot, me një mik të madh të fuqishëm me Japoninë e cila zë vendin e tretë në listën e vendeve me fuqinë ekonomike më të madhe të botës.

Në historinë e marrëdhënieve tona zë vend Traktati i Parë Tregtar me Japoninë i vitit 1930 si dhe hapja e Konsullatës së Nderit të Mbretërisë Shqiptare në Osaka në vitin 1935. Marrëdhëniet e ndërprera pas Luftës së Dytë Botërore u rivendosën në vitin 1981 ndërsa në vitin 2005 në Tokio u hap e para Ambasadë Shqiptare në Japoni. Në vitin 2017 Japonia vendosi Ambasador me rezidencë në Tiranë.

Historia e dy vendeve tona shënon piketa shumë të ndritshme ndër të cilat spikat edhe Hapja e Konsullatës së Nderit të Japonisë në Tiranë, në vitin 2009.

Pas këtij rrugëtimi të shkurtër historik inaguruam Dhomën e parë të tregtisë Shqipëri-Japoni dhe me besimin e Shteti Japonez  (Nippon-koku) si Konsulli i Përgjithshëm i Nderit tashmë kam nderin dhe përgjegjësinë që të jem i pari President  i Dhomës së Tregëtisë Shqipëri – Japoni.

LEXO EDHEÇelet Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Japoni/ Ponari: Një zë i fuqishëm në shërbim të biznesit; ambasadori Takada: Një portë për kompanitë japoneze

Ideja për krijimin e kësaj Dhome erdhi  si një nevojë, por edhe si një  mision dhe një hap i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve  Shqiperi – Japoni. Dëshiroj të falenderoj ideatorin dhe mbështetësin e themelimit  të kësaj Dhome, Shkëlqesinë e Tij, Ambasaorin Japonez, z. Takada Mitsuyuki.

Z. Takada,  para karierës së tij diplomatike ka pasur funksione drejtueses në  botën e biznesit, si drejtor i Korporatës Mitsubishi dhe është një njeri që  ka vëmendjen e madhe në  integrimin dhe zhvillimin e  biznesit dhe forcimit të marrdhënieve Shqipëri – Japoni. Asistenca japoneze ndaj Shqipërisë arrin në shumën e 179 milionë Eurove, ndërsa ambasadori Takada, që nga dita që ka ardhur në Shqipëri, është angazhuar në zhvillimin e biznesit reciprok dhe kulturave të të dy vendeve  tona. Për këtë ai çdo ditë takon njerëz të sipërmarrjes në të gjitha fushat. Kjo mënyrë e të vepruarit të tij solli edhe idenë e themelimit të Dhomës së Tregtësië që inaguruam pak ditë më parë, si një mundësi edhe më e madhe ndërveprimi aktiv midis palëve.

Ne mendojmë se kjo Dhomë Tregtie do të jetë një Zë i Fuqishëm në shërbim të biznesit në vendin tonë.

Biznes i zhvilluar për një shtet të fortë

Një shtet i fortë, me ekonomi të fortë nuk mund të jetë kurrë i tillë nëse nuk ka biznes të zhvilluar. Një vend me klimë të mirë biznesi, me hapësira për zhvillimin e tij, natyrisht që e ndihmon të ardhmen e vendit, forcon buxhetin e shtetit si dhe rrit nivelin e të ardhurave dhe nivelin e jetësës së qytetarëve. Këtu qëndron edhe rëndësia e kësaj Dhome që inaguruam.

Në Shqipëri, biznesi japonez punëson rreth 3.000 vetë të cilët kanë standart shumë të lartë profesionalizmi dhe të ardhura mjaft të mira dhe natyrisht do ketë dhe shumë hapësira të reja. Mbi këtë bazë do të punohet për të rritur numrin e bizneseve dhe investimeve japoneze, përthithjen e  kulturave  të punës nga një vend i zhvilluar si Japonia dhe për rrjedhojë  rritjen e  numrin e të punësuarve shqipëtarë në kompani e investime japoneze.

Vendi ynë ka një histori të shkurtër në biznes, që nuk i kap dot tre dekada në veprim. Sipërmarrjet tona të vogla apo të mëdha janë formuar dhe janë rritur në kushte jashtëzakonisht të vështira, të shoqëruara me sakrifica shumë të mëdha të njerëzve të punës dhe të atyre sipërmarrësve që guxuan në startin e 1991 e në vijim. Starti ishte i njëjtë për të gjithë. Ne mësuam njëri-tjetrin, u edukuam dhe ndërtuam këtë grup biznesmensh që jo rrallë anatemohen nga shumë njerëz, madje edhe persona me emër në publik.

Unë ju them atyre, mos harroni se vetëm 30 vjet më parë, Shqipëria nuk kishte asnjë kompani private, asnjë biznes të huaj, asnjë bankë private apo institucion financiar, madje as kulturën elementare për tregun dhe ekonominë e tregut. Gjithçka që u ngrit në këtë hark kohor është ngritur me sakrifica të panumërta. E megjithatë, e sollëm Shqipërinë në një stad zhvillimi sa të tërheqë vemendjen e biznesit të vendeve të tilla edhe  si Japonia e largët. Kjo është pjesë e krenarisë tonë, e njerëzve të biznesit shqiptar.

A jemi ne tani në gjendje dhe të gatshëm të presim në Shqipëri firmat të mëdha dhe investitorë starategjikë? Unë  do thoja Po!

Sot Shqipëria ka plot kompani me emër  dhe me reputacion të mirë, të cilat mund të jenë partnerë të denjë për joint – venture me kompani të huaja me reputacion dhe emër në tregun e gjerë global ne të gjitha industritë dhe më shumë duhet të sjellim. Në të vërtetë, biznesi është edhe një katalizator i fuqishëm që nxit edhe qeverinë që të punojë më mirë. Bashkëpunimi më i afërt dhe më miqësor i qeverisë me biznesin, vemendja më e madhe ndaj këtij të fundit hap perspektiva dhe rrugë të reja të zhvillimit ekonomik.

Pse BE është destinacioni ynë

Destinacioni ynë final është integrimi i plotë në Evropë. Për të arritur atje duhet më së pari arritja e një niveli ekonomik  që përkon me nivelin evropian. Pra, një standart i njëjtë pagash, niveli jetese dhe propseriteti. Që t’i kemi këto të fundit duhet nivel i lartë menaxhimi. Po ashtu duhet infrastruktura e standarte  të larta dhe  mbajtja e niveleve të nevojshme buxhetore në shërbim të këtyre elementëve të domosdoshëm.

Biznesi, siç e thashë më lart, ka bërë sakrifica të panumërta dhe vazhdon të bëjë. Ai ecën me hapa më të shpejtë se strukturat shtetërore. Ai ka ide, tani ka edhe përvojë dhe është natyrisht mbajtësi më i madh i ngarkesave fiskale, mision që është gjithmonë në vijëmsi. Ne që zgjodhëm këtë rrugë kemi një mision në zhvillmin e biznesit dhe ky mision nuk është fitimi maksimal por është funksionimi normal i biznesit dhe duke hapur vende pune realizojmë misionin e zgjedhur, i cili është plotë sakrifica. Ata që janë në biznes e dinë më mirë: Ne kemi edhe një mision social për të ulur dëshpërimin  dhe mosbesimin  e të rinjëve  dhe të papunëve, që ato mos ta braktisin vendin.

Një vend pa fuqi punëtore, pa  të rinj ambiciozë, pa garë shkon drejt kthimit në liqen me ujë të ndenjur. Prandaj të rinjtë e gjejnë më të lehtë të largohen nga Shqipëria, përkundër kostove shumë të larta.

Si mund të ndalet shpopullim i Shqipërisë?

Asnjë masë politike dhe propogandistike nuk e ndalon dot këtë hemoragji. E vetma “PRITË” ndaj shpopullimit është dhe mbetet zhvillimi i biznesit, krijimi i mjedisit për investime vendase dhe të huaja, ndërtimi i reformave dhe ne se them kopjimi i nje modeli te nje vendi qe ka arritur ne nivele te mira zhvillimi  do ishte nje sukses për punësim te njerëzve për rrejdhojë rritje e standarti të jetesës rritje e nivelit te pagave po edhe paraqitja e saj siç është.

Çdo njeri duhet të dijë se sa janë shpenzimet në kompani për pagën e tij. Trasparenca është gjithmonë çelësi  i së mirës. Jo të ndahet paga  në pjesë-pjesë, ende si borderotë e socializmit. Kaq paguan punëdhënësi e kaq punëmarrësi kur dihet që paga është totali i shpenzimeve të kompanisë për individin. Këtë duan investitorët e huaj dhe veçanërisht ato japonezë, ndërkohë vendi duhet të mbushet më profesionistë të të gjitha fushave që ndihmojnë zhillimin, prodhimin e Industrisë, teknologjisë, inovacionit, bujqësisë, turizmit e plot fusha të tjera.

Shqipëria ka plotë drejtues të zotë dhe shumë kompani të huaja, banka, shoqëri sigurimi etj me drejtues lokalë shumë të zotë dhe me shumë rezultate.

Prandaj kjo Dhomë Tregtie dhe Industrie midis Shqipërisë dhe Japonisë është shumë e rëndësishme pasi ka për qëllim të rrisë numrin e bizneseve, të shtojë panësimin e shqiptarëve dhe të ndërpresë hemoragjinë që po rrezikon seriozisht vetë ekzistencën tonë.

A bëhet dhe si bëhet Shqipëria?

Pas çdo sezoni zgjedhor dëgjojmë që politikanët tanë ndërmarrin reforma të reja zgjedhore. Nuk dua të flas se çfarë produkti sjellin këto reforma, por neve njerëzit e sipërmarrjes kërkojmë që të ketë reforma që e lehtësojnë punën tonë. Unë mendoj dhe besoj, se një pjesë e sipërmarrëve në vendin tonë e kanë arritur një standart që edhe mund të mos i japin vetevetes stres, nëse fjala është vetëm për mirëqenjen e tyre personale.

Por Jo, ne nuk ndalemi, sepse qëllimi ynë nuk është thjesht dhe vetëm mirëqenja dhe prosperiteti ynë përsonal. Çdo aventurë në biznes është e lidhur me punësimin e njerëzve dhe si rrjedhojë mbajtja brenda vendit e rinisë dhe brezave të aftë për punë dhe ripërtëritje të komit tonë.

Ne punojmë  dhe do punojmë që njerëzit të mos i thonë njëri-tjetrit: “Lum si ti që të kanë ikur fëmijët në perëndim, pasi ky vend nuk bëhet!”

Por NE SHPRESOJMË! Po Shqipëria bëhet, dhe ne do ta bëjmë. Do ta bëjmë sepse e duam këtë vend! Do Përpiqemi që mundi i biznesit shqipëtar të vazhdojë me shekuj. Do ta bëjmë edhe me ndihmën e miqëve tanë si këta që kemi sonte në krahë! 

Le të punojmë fortë së bashku që kjo dhomë të bëhet  më shumë anëtarë dhe të jetë një zë i fuqishëm i biznesit në vend dhe të shërbejë për të forcuar më tej marrëdhëniet  mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Japonisë.

*Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri & President i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Japoni

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat