Mbledhja e Përgjithshme Vjetore e Hannover Rück SE miratoi propozimin e paraqitur nga Bordi Ekzekutiv dhe Bordi Mbikëqyrës për të shpërndarë dividendët total me çmimin 9.00 eurosh për aksion.
Ky çmim lidhet me vitin financiar 2024. Viti paraardhës, 2023, kishte vlerën 7.20 euro. Ndryshimi shënon një rritje prej 25%.
Më konkretisht: pagesa përbëhet nga një dividend i zakonshëm prej 7.00 eurosh për aksion (viti i kaluar: 6.00 euro) dhe një dividend special prej 2.00 eurosh për aksion (viti i kaluar: 1.20 euro).
Në këtë mënyrë, Hannover Re do të shpërndajë gjithsej 1.1 miliardë euro për aksionarët e saj.
Drejtori Ekzekutiv, Clemens Jungsthöfel, theksoi se Hannover Re është në rrugën e duhur me strategjinë e saj 2024–2026.
Kompania vazhdon të përqendrohet në gjenerimin e rritjes fitimprurëse, forcimin e kapitalit dhe bashkëpunimin me klientët dhe partnerët për të nxitur inovacionin.
“Në këto kohë sfiduese, ndryshimet klimatike dhe pasiguritë gjeopolitike e bëjnë punën tonë si risigurues më të rëndësishme se kurrë më parë. Ngjarjet ekstreme të motit si stuhitë, reshjet intensive dhe zjarret pyjore po rriten në intensitet në të gjithë botën, duke shkaktuar humbje të mëdha. Vlerësimi i kujdesshëm i këtyre rreziqeve dhe mbrojtja e klientëve tanë përbën themelin e modelit tonë të biznesit. Për të vijuar suksesin edhe në të ardhmen, jemi të përkushtuar ndaj produkteve dhe teknologjive inovative si dhe ndaj optimizimit dhe automatizimit të proceseve tona. Kjo është thelbësore për të forcuar qëndrueshmërinë e kompanisë sonë dhe për të marrë përgjegjësinë për të ardhmen në misionin tonë si risigurues,” tha Clemens Jungsthöfel, siç citohet në XPRIMM.