Me arritjen e vjeshtës e me afrimin e muajve të ftohtë, ndihemi më të rrezikuar nga ftohja dhe gripi.
Edhe nëse jemi të shëndetshëm, është e rëndësishme të marrim masa për të mbrojtur veten dhe të tjerët, veçanërisht ato grupe më të rrezikuara si foshnjat, të moshuarit dhe njerëzit me imunitet të dobësuar.
Mjeku alternativ Irfan Gjeci, i ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova dha këshilla të vlefshme se si duhet të veprojmë dhe çfarë duhet të konsumojmë, në mënyrë që të forcojmë imunitetin.
Mjeku bën thirrje që qytetarët të konsumojnë sa më shumë çaj.
Gjeci: Trupi përballë gjërave të panjohura ndihet i sulmuar. E mira është që të konsumohen ushqime të shëndetshme, perime, fruta. Nuk duhet të ndajnë çajin. Çaji i malit është shumë i mirë, sherebela është shumë e mirë. Mund të përdoret në mëngjes paradite edhe rozmarina e cila ndihmon në qarkullimin e gjakut, për fëmijët e vegjël do të sugjeroja të merrnin vitaminën C. Ata që janë 1 vjeç 2-3 pika propolis. Për fëmijët e vegjël vjen në ndihmë edhe qumështi i gomaricës. Fëmijët e vegjël mund të përdorin 2-3 filxhanë kafeje në ditë. Të rriturit mund të përdorin edhe sasi më të mëdha sipas problemeve të tyre. Efektet e qumështit të gomaricës ndihen në mënyrë të menjëhershme. Për fëmijët e vegjël është gjëja më e mrekullueshme dhe e mirë. Propolisi nëse fëmija është 1 vjeç duhet marrë 2-3 pika, tre herë në ditë. Çaji i lules së shtogut është më i mrekullueshmi për uljen e temperaturave te fëmijët e vegjël.
Mjeku gjithashtu këshillon që çajrat të përzihen me kanellë, piper të zi apo spec të kuq djegës në mënyrë që efekti të jetë i menjëhershëm.
Gjeci: Duhet të rrisin dozat e vitaminës C. Të shtojnë lëngun e limonit, çajrat. Nëpër çajra të hedhin kanellë, piper të zi, në mënyrë që të rrisin imunitetitn. Mund të përdorin edhe çajin me spec të kuq djegës. Ai ka një veti marramendëse dhe është shumë i fuqishëm. Dy tre lugë kanellë, një lugë çaji piper të zi, xhinxher, karafil dhe mund ta përgatisim vetë në shtëpi me ujë ose me verë të kuqe. Pas zierjes fillojmë të bëjmë një gargar për të pastruar grykët dhe mund të pimë gradualisht duke i shtuar pak mjaltë të mirë sepse do të na pastrojë mushkëritë. Të përdoren sa më shumë agrumet. Lëvoret mos të hidhen poshtë. Mund të thahen dhe ato do të jenë shumë të mira. Edhe lëvoret e shegës. Do të theksoja të pimë vetëm lëngun te shegët dhe ato kokrrat mos t’i hamë sepse krijojnë kapsllëk dhe bllokim. Lëvoret e shegës janë shumë të mira për parazitët dhe sëmundjen e zorrëve dhe ato mund t’i shtojmë në çajrat tonë. Edhe lëvoret e mandarinave apo portokalleve janë shumë të mira. Në mëngjes gjithsecili të marrë 1 lugë vaj ulliri me një kokër portokalli.
Mjeku gjithashtu tregoi në studio edhe efektet e qumështit të bletës. Gjeci tha se benefitet janë të menjëhershme dhe qumështi i bletës vepron në çdolloj sëmundjeje.
Gjeci: Benefitet e qumështit të bletës janë të padiskutueshme. Rrisin imunitetin sepse qumështi punon direkt në qelizë. Vepron në çdolloj sëmundje. Çdo person i cili është i lodhur dhe pafuqi, pra ka një lodhje kronike, qumështi i bletës vepron shumë. Edhe për ata që kanë probleme me shtatzëninë. Çifti duhet të marrë paralelisht qumështin e bletës. Gjithçka që është në shtëpinë tonë na vjen në ndihmë. Njerëzit mund të shpenzojnë shumë për shëndetin dhe nuk mund ta fitojnë atë. Mund të shpenzojnë shumë edhe për të arritur një shtatzëni dhe nuk e arrijnë. Qumështi i bletës e arrin.
LEXO EDHE: Fluks qytetarësh në Urgjencat e Spitaleve/ Pse na nevojitet “TeleShëndet” dhe çfarë na mundëson