15.5 C
Tirana
Saturday, October 5, 2024
spot_img
Faqe KryesoreEkonomiShtrenjtimi i apartamenteve do të vazhdojë, çmimi mesatar në Tiranë arriti 1.102...

Shtrenjtimi i apartamenteve do të vazhdojë, çmimi mesatar në Tiranë arriti 1.102 euro/m²

Ndërtuesit kanë raportuar një ulje të porosive aktuale në sektorin përkatës, sipas vrojtimit të fundit të aktivitetit ekonomik të bizneseve dhe konsumatorëve Bankës së Shqipërisë, që i referohet muajit gusht.

Balanca e përgjigjeve për pyetjet lidhur me porositë aktuale ishte negative prej -35 pikë përqindje, më e ulëta që nga muaji qershor (shiko grafikun e parë). Kjo balancë, e cila mat përqindjen e përgjigjeve negative, duke i zbritur përqindjet e përgjigjeve pozitive, tregon se pjesa më e madhe e ndërtuesve raportojnë për një rënie të porosive në sektor.

Pavarësisht porosive në rënie, që nënkupton një tkurrje të kërkesës, parashikimet për rritjen e çmimeve vijojnë të jenë pozitive, madje me ritme më të larta se në muajt e mëparshëm. Balanca e përgjigjeve për pyetjen lidhur me ecurinë e çmimeve gjatë tre muajve të ardhshëm ishte pozitive, prej 18.5 pikë përqindje, më e larta që prej majit të vitit 2016, kur raportohen të dhënat nga Banka e Shqipërisë.

Që prej marsit të vitit 2020, balanca e përgjigjeve për çmimet gjatë 3 muajve të ardhshëm ka qenë pozitive. Kjo pritshmëri ka rezultuar në linjë me atë që ka ndodhur realisht me tregun e pasurive të paluajtshme, që dy vitet e fundit ka shënuar rritje të ndjeshme çmimesh.

Çmimi mesatar i një metri katror në kryeqytet në fund të 6-mujorit të parë 2021 arriti në 1102 euro/metër katror, sipas indeksit të “Keydata Albania”, një publikim nga Çelësi Media Group. Çmimet luhaten nga rreth 700-800 euro/m2 në periferi deri në 4 mijë euro/m2 në kullat në qendër të qytetit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 0.7% krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe me 6.7% krahasuar me një vit më parë. Në 6-mujorin e dytë 2020, çmimet e banesave u rritën me 6.2% krahasuar me 6-mujorin e mëparshëm dhe me 11.3% me bazë vjetore. Krahasuar me periudhën bazë të vrojtimit, vitin 2013, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me 49.4%.

Tendenca e rritjes së çmimeve të banesave ka vijuar edhe për tregun më të madh të pronave në vend, atë të Tiranës. Çmimet e banesave në kryeqytet u rritën me 3.4% krahasuar me 6-mujorin e dytë 2020 dhe me 5.8% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pavarësisht pritshmërisë në rënie të porosive, normat e shfrytëzimit të kapaciteteve arritën në tremujorin e tretë të vitit në 71.2%, që është niveli më i lartë rekord i regjistruar ndonjëherë, që nga viti 2016, kur publikohet ky tregues.

Bazuar në sipërfaqen e dhënë për leje ndërtimi, vrulli pritet të vijojë. Sipas INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqja e re shënuan rritje të konsiderueshme në 6-mujorin e parë të vitit 71% e sipërfaqes së re do të ndërtohet në Tiranë. Bashkia e kryeqytetit dha leje për ndërtimin e 816,097 metra katrorë me një rritje 59% në raport me vitin 2020 dhe 4.2% më pak në raport me vitin 2019, kur sipërfaqja e lejeve arriti në nivelin më të lartë në një dekadë.

Në kontrast me këtë valë ndërtimesh, aftësia paguese, të paktën zyrtarisht mbetet e ulët. Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë me konsumatorët, balanca e përgjigjeve për pyetjen “A keni në plan të blini ose të ndërtoni një shtëpi gjatë 12 muajve të ardhshëm (për të jetuar vetë ju, një anëtar i familjes, si shtëpi pushimi, për ta dhënë me qira etj.” është negative prej -86 pikë përqindje, duke treguar pamundësinë financiare të konsumatorëve për të blerë një apartament, teksa çmimet vetëm sa po rriten.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat