Sigurimet janë kontrata ligjore. Çdo kontratë sigurimi krijon një marrëdhënie ligjore mes siguruesit dhe të siguruarit. Palët ndajnë detyra dhe përgjegjësi për mbulime të caktuara.
Kontrata e sigurimit MINIKASKO kushton pak. Vetëm 3,000 lekë mbi siguracionin TPL. Ajo mbulon deri në 1,000,000 lekë dëme në mjetin motorik, edhe kur drejtuesi është shkaktar i aksidentit.
Por kujdes!
Janë tre parakushte kryesore, që ky siguracion të aktivizohet: mjeti duhet të përplaset me një mjet tjetër; të dy mjetet duhet të jenë në lëvizje; dhe lëvizja duhet të ndodhë në rrugë automobilistike.
Komenti i një klienti “të pakënaqur”:
“Kisha TPL. Bëra sigurimin MINIKASKO. Një herë që m’u dëmtua makina në parkim, nuk më shpërblyen”, ishte komenti që Sigurime.Online mori nga një komentues i pakënaqur.
Në vijim të qasjes edukative dhe ndërgjegjësuese, Sigurime.Online u ndal edhe te ky keqkuptim.
Është një keqkuptim i germës dhe frymës së kontratës.
MINIKASKO, në dispozitat e saj, e bën të qartë: dëmet në parkim nuk mbulohen.
Dëmi duhet të vijë nga përplasja mjet me mjet. Jo mjet me objekt fiks, si p.sh. një shtyllë. Të dy mjetet duhet të jenë në lëvizje. Nuk mjafton që njëri të jetë i parkuar. Ngjarja duhet të ndodhë në rrugë automobilistike. Jo në një shteg mali apo në parkim lagjeje, ku një mjet hyn dhe tjetri del.
Kontrata është e qartë. Jashtë këtyre tre parakushteve kryesore, të pranuara dhe të firmosura nga klienti për kontratën TPL, pakënaqësia është e pabazuar.
Çdo kompani sigurimi e konsideron të mirëqenë që produkti i blerë dhe kontrata e firmosur janë lexuar dhe kuptuar nga klienti.
Mosnjohja ose keqkuptimi, si pasojë e keqleximit, nuk është përgjegjësi e kompanisë së sigurimit dhe as e produktit.
MINIKASKO-ja mbetet një nga produktet më të zgjuara në qarkullimin rrugor. Ai aktivizohet pikërisht në segmentin që, sipas të dhënave zyrtare, përbën 85% të aksidenteve: përplasje mjet me mjet, në lëvizje dhe në rrugë automobilistike.
Nëse TPL mbulon dëmet ndaj palëve të treta, MINIKASKO të jep mundësinë të riparosh dhe të rikthesh në qarkullim makinën tënde, deri në 1 milion lekë dëme.




