12.5 C
Tirana
Saturday, May 4, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetCovid-19 rikthehet edhe në Shqipëri, 30% e rasteve dalin pozitivë

Covid-19 rikthehet edhe në Shqipëri, 30% e rasteve dalin pozitivë

Këtë fillimviti, edhe në Shqipëri janë rikthyer rastet e infektimeve me Covid-19, ashtu siç po ndodh në shtetet fqinje të Europës, si Itali dhe Greqi.

Drejtues të laboratorëve mjekësorë pohojnë se janë shtuar rastet e të prekurve të konfirmuar me Covid-19 pas kryerjes së tamponit.

Rastet pozitive të konfirmuara pas kryerjes së tamponit sipas administratorit të rrjetit të laboratorëve më të madh në vend, “Intermedica”, Vasil Llajo arrijnë deri 30%.

Llajo pohoi për “Monitor” se ka rikthim të rasteve me Covid-19 dhe numri i të prekurve është i njëjtë me infektimet e periudhës qershor-korrik 2022.

Në këtë periudhë, mjekët e familjes pohuan se nga 3 persona që kryenin testimin e tampon 1 prej tyre rezultonte i infektuar.

Sipas tyre, në muajt qershor-korrik 2022, rritja e rasteve erdhi si rezultat i moszbatimit të masave që nga grumbullimi i individëve në plazhe, restorante dhe bare, si dhe mospërdorimi i maskës në ambientet e mbyllura.

Fluksi i individëve që kryejnë tampon është i lartë. Edhe pozitiviteti i rasteve të konfirmuara me Covid-19 është i lartë, arrin deri 30%. Pra në 100 persona që kryejnë tamponin 30 prej tyre rezultojnë pozitiv me Covid-19.

Rritja e rasteve me Covid-19 po shoqërohet edhe me rritje të rasteve të prekur nga Gripi A dhe virusi RSV (Respiratory Syncytial Virus) që shkakton broshit te fëmijët e vegjël të moshës nën 3 vjeç”, pohon Llajo.

Mjeku Vasil Llajo nënvizon se nuk ka vend për panik, pasi aktualisht po qarkullojnë nënvariente të virusit Omicron BA 4 dhe BA 5 ku ndër simptomat kryesore që shfaqen te të prekurit mbeten rrufa, temperaturë jo e lartë që varion 37,5 deri 38 gradë, ndryshe nga gjendja gripale ku temperatura arrin deri në 39 gradë, që shoqërohet me dhimbje të muskujve dhe dhimbje koke.

Graviteti klinik i virusit është më i lehtë se gjatë periudhës së pandemisë. Por ndryshe nga pandemia, aktualisht konstatojmë se nga Covid-19 po preken të gjithë grupmoshat e popullatës, pra edhe fëmijët. Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë masat e higjienës.

Ndonëse ende nuk ka një udhëzim të veçantë nga institucionet, rekomandoj se te individët që janë shfaqur simptomat e Covid-19 është e domosdoshme mbajtja e maskës, me qëllim mosinfektimin e të tjerëve në këtë periudhë kur kanë rinisur mësimi në shkolla dhe kopshte.”

Sipas tij, të prekurit me Covid-19 rezultojnë persona të vaksinuar deri edhe me 3 doza, si dhe individë që më herët janë konfirmuar me Covid-19 nga 2 apo 3 herë.

Shqipëria nisi në datë 11 Janar 2021 fushatën e vaksinimit anti-Covid-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë deri më 26 Maj 2023 në total janë kryer 3,072,710 vaksinime. Përkatësisht janë kryer: 1,331,723 doza të para, 1,279,886 doza të dyta dhe 403,783 doza të treta.

Covid-19 rikthehet edhe në Greqi dhe Itali

Javët e fundit përhapje të infeksioneve të Covod-19 konfirmohen edhe në vendet fqinje si Italia dhe Greqia, ku shumë qytetarë në vendet publike, si autobusë apo metro kanë nisur mbajtjen e maskës pas fushatave ndërgjegjësuese të nisura nga institucionet publike.

Në buletinin e fundit javor të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë së Italisë (java nga 28 dhjetori deri më 3 janar) rastet e reja të pozitivitetit ndaj virusit janë në fakt 38,737 (ishin 40.990, -5.5%)

Rikthim të rasteve janë shënuar edhe në Greqi, ku sipas mediave vendase të cilat i referohen Raportit Javor të Mbikëqyrjes Epidemiologjike të Infeksioneve Respiratore të EODY ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve të koronavirusit, nga data 25 dhjetor deri më 31 dhjetor 2023.

Numri i të shtruarve është rritur me 44%, ndërsa është rritur edhe numri i pacientëve të intubuar, duke arritur tashmë në 70. Gjithashtu, 57 persona kanë vdekur nga komplikimet e Covid-19.

LEXO EDHE: Gripi dhe sëmundjet respiratore në shifra rekord/ Evropa drejt rikthimit të maskave me detyrim

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat