10.5 C
Tirana
Monday, April 29, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBankat me kapital vendas arrijnë në pothuajse 35% të tregut. Ja cila...

Bankat me kapital vendas arrijnë në pothuajse 35% të tregut. Ja cila është më e madhja

Pesha e bankave me kapital shqiptar në tregun bankar është në rritje të mëtejshme gjatë këtij viti.

Statistikat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të 9-mujorit 2023 bankat me kapital vendas zotëronin 34.9% të aktiveve totale të sektorit bankar në vend, shkruan revista “Monitor”.

Që nga fillimi i vitit 2023, pesha e bankave vendase në treg u rrit me 1.1 pikë përqindje, ndërsa që prej vitit 2015, kur nisi cikli i shitblerjeve në sektorin bankar, pjesa e tregut e bankave vendase është rritur me më shumë se dy herë.

Aktualisht, sistemi bankar ka pesë banka me kapital mbizotërues shqiptar, Credins Bank, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), Tirana Bank, Union Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA).

Credins Bank ngelet banka më e madhe shqiptare, me 15.8% të tregut, me një rënie të lehtë nga niveli prej 15.9% që mbante në fund të vitit 2022.

Vijon ABI Bank, që zotëron 6.9% të aktiveve totale, nga 6.2% të që zotëronte në fund të vitit 2022.

Tirana Bank ka arritur tashmë në 6.6% të tregut, nga 6.1% që mbante në fund të vitit 2022, ndërsa pjesa e tregut e Union Bank është në nivelin 4.9%, në nivele të përafërta me fundin e vitit 2022.

Edhe banka më e re me kapital shqiptar, Banka e Bashkuar e Shqipërisë, ka ruajtur një pjesë tregu të pandryshuar, me 0.7 % të totalit të aktiveve.

Rritja e peshës së bankave me kapital vendas në tregun bankar është njëkohësisht rezultat i procesit të shitblerjeve, por edhe i rritjes organike të përmasave të aktivitet.

Pasi sektori bankar filloi të ndiente efektet e krizës që nisi në vitin 2008, shumica e bankave që iu takonin grupeve bankare të Eurozonës u detyruan të frenonin rritjen, për shkak të përkeqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë dhe kërkesave në rritje rregullative nga autoritetet europiane të mbikëqyrjes bankare.

Kjo krijoi më shumë hapësira në treg për ato banka me aksionerë jashtë Eurozonës, që nuk kishin kufizime të këtij lloji. Mes tyre, bankat lokale ishin ndër subjektet më aktive, duke e zgjeruar pjesën e tyre të tregut, sidomos nëpërmjet huadhënies. Një shtysë të mëtejshme prania e kapitalit vendas e mori nga procesi i shitblerjeve brenda sistemit.

ABI Bank hyri në treg duke blerë fillimisht filialin e Credit Agricole dhe më pas edhe bankën NBG Albania. Në vitin 2019, edhe Tirana Bank u bë një bankë me kapital shqiptar, pasi Grupi Bankar i Pireut e shiti tek grupi Balfin.

Një tjetër bankë shqiptare që gërshetoi rritjen organike me zgjerimin përmes blerjeve ishte Union Bank, që në të njëjtin vit bleu Bankën Ndërkombëtare Tregtare.

Mbështetur në të dhënat paraprake të Shoqatës së Bankave, gjatë 9 mujorit 2023 është shënuar një rënie e pjesës së tregut për shumicën e bankave me kapital të huaj.

Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) në fund të tremujorit të tretë mbante 24.9% të tregut, nga 26.2% që zotëronte në fillim të vitit.

Edhe Intesa Sanpaolo ka zbritur në 10.4% të aktiveve të tregut, nga 10.6% që mbante në fund të vitit 2022.

OTP Albania ka rënë në 9.3% të aktiveve, nga 9.5% që zotëronte në fund të vitit 2022.

Të vetmet banka me kapital të huaj që e kanë rritur pjesën e tregut janë Raiffeisen Bank Albania, në 15.3%, nga 15% që ishte në fund të 2022 dhe ProCredit Bank, që ka arritur në 2.3%, nga 2.2% që mbante në fund të vitit 2022.

Fibank në fund të 9-mujorit ruante një pjesë tregu prej 2.7%, po aq sa në fund të vitit 2022.

Megjithëse bankat me kapital të huaj vazhdojnë të jenë dominuese në tregun bankar shqiptar, pjesa e tyre ka rënë në 65%, nga 66.2% që kishte qenë në fund të 2022.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat