16.5 C
Tirana
Friday, October 4, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetBanka e Shqipërisë: Kredia për blerja banesash ishte edhe më e lirë...

Banka e Shqipërisë: Kredia për blerja banesash ishte edhe më e lirë në tremujorin e tretë

Individët kanë përfituar norma gjithnjë e më të ulëta interesi për financimin e blerjeve të pasurive të paluajtshme gjatë këtij viti.

Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, rritja e kërkesës në këtë segment të kredisë është përputhur me lehtësim të kushteve të kredisë prej disa tremujorësh. Norma mesatare e interesit për kreditë hipotekare në lekë zbriti në 3.2% në tremujorin e tretë të vitit, nga 3.5% dhe 4.7% që ishte përkatësisht në tremujorin e dytë dhe atë të parë të tij.

Nga ana tjetër, edhe kredia konsumatore vijon të lëvrohet me norma të qëndrueshme interesi. Në tremujorin III 2021, interesat ishin mesatarisht 8.3%, duke qëndruar pranë niveleve të vërejtura në gjysmën e parë të vitit dhe në vitin e kaluar.

Lexo edhe: Tabela e çmimeve/ Sa kushton një apartament në Tiranë

Vrojtimi i radhës i aktivitetit kreditues tregoi se në tremujorin e tretë të këtij viti, bankat lehtësuan standardet e kredisë për individët dhe kryesisht në ato për blerjen e banesave. Politikat lehtësuese të kreditimit për individët u shoqëruan edhe me kushte e terma më të favorshme si në elementet çmim, ashtu edhe joçmim, me shtimin e madhësisë së kredisë, zgjatje e maturitetit të saj, si edhe kërkesa më të ulëta për kolateral. Kushtet më të lehtësuara të kreditimit për individët duken se janë udhëhequr në masën më të madhe nga trysnia e shtuar e konkurrencës në sistemin bankar. Kredia për shtëpi siguron volume të kënaqshme huadhënieje, por paralelisht edhe një shpërndarje të mirë të rrezikut në shumë huamarrës.

Ajo është shtysa kryesore e rritjes së kredisë për ekonominë gjatë këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin e parë të vitit 2021 sektori bankar në vend ka disbursuar 28.7 miliardë lekë ose rreth 235 milionë euro kredi të reja për shtëpi. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vlera e disbursimeve të reja është rritur me 60%. Vlera totale e portofolit në fund të shtatorit ka arritur në 140.7 miliardë lekë.

Ecuria e kredisë për blerjen e pronave pas pandemisë ka pasur një tendencë pozitive në të gjithë vendin, me ritmet më të larta të rritjes që kuptueshëm janë regjistruar në kryeqytet dhe në zonat me interes turistik. Tregu i pronave në vend duket se po përjeton një cikël të ri rritjeje, me rritje të shitjeve dhe shtrenjtim dyshifror të çmimeve me bazë vjetore. Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet e pronave në Shqipëri u rritën mesatarisht me 11.3% vitin e kaluar dhe me 6.7% në gjysmën e parë të këtij viti. Krahasuar me periudhën bazë të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, vitin 2013, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me 49.4%.

Normat e ulëta të interesit dhe oferta e lartë e sektorit bankar po japin një kontribut të rëndësishëm në rritjen e tregut të pronave. Sipas agjentëve të shitjeve dhe firmave të ndërtimit, afërsisht gjysma e transaksioneve në tregun e pronave për 6-mujorin 2021 janë financuar me kredi bankare. Nga ana tjetër, edhe rritja e çmimeve të pronave po ndikon në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa. /Monitor 

Lexo edhe: Një apartament në Tiranë kushton deri në 4 mijë euro/m2, Sigurimi i tij me vetëm 1 euro/m2

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat