16.5 C
Tirana
Saturday, April 20, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetÇfarë duhet të bëjë Shqipëria, që të fitojë garën rajonale të investimeve

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria, që të fitojë garën rajonale të investimeve

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z. Enio Jaço 

“Një politikë tërheqëse mbi Investimet e Huaja, është çelësi kryesor për tranzicionin e ekonomisë nga ‘në zhvillim’ në ‘konkurruese’. Shqipërisë i mungon një strategji për të tërhequr IHD. Dhe kjo ka bërë të humbasë terren rajonal, ndaj Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Kështu shprehet për “Monitor”, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z. Enio Jaço. Ai shton se, për ekonominë shqiptare në zhvillim, fenomeni i korrupsionit është shndërruar në një sëmundje të rëndë kronike të lidhur me padrejtësinë dhe pandeshmërinë ndaj bizneseve. Kjo e ka kthyer vendin pothuajse në një zonë të padëshiruar nga investitorët.

Çfarë e nxiti Dhomën Amerikane të punonte për Axhendën e Investimeve? 

Tri arsye thelbësore e kanë ndryshuar ndjeshëm qëndrimin e Dhomës. Së pari, rastet në rritje të ‘incidenteve’ të raportuara nga anëtarët e Dhomës. E kam fjalën për probleme të ndryshme me terrenin, zbatimin e ligjit dhe konkurrencën ku bizneset operojnë.

Kemi vënë re ankesa në rritje të këtyre incidenteve. Së dyti, Indeksi i Biznesit, analiza kryesore vjetore që ne kemi, ka pasuar një rënie jo të zakonshme në dy vitet e fundit. Dhe së treti, konfirmimi i analizave tona nga partnerët ndërkombëtarë. Dua të përmend raporte publike dhe të tjera si ato të Bankës Botërore, Departamentit të Shtetit, Bashkimit Europian etj.

Për këto arsye vendosëm ta çojmë përpara shqetësimin jo vetëm me ndërgjegjësim, por me propozime konkrete teknike për adresimin e situatës. Komitetet tona teknike kanë bërë një punë të thelluar për rreth 9 muaj, e cila ka krijuar “Axhendën e Investimeve”.

Ju flisni për një “mendësi” të re politikash mbi Investimet e Huaja Direkte. Çfarë do të thotë kjo dhe si mund të përfitojë Shqipëria? 

Një politikë tërheqëse mbi Investimet e Huaja është çelësi kryesor për tranzicionin e ekonomisë nga “në zhvillim” në “konkurruese”. Historia e ekonomisë botërore është shumë e qartë në këtë drejtim. Vendet që adaptojnë politika qendrore të mirëfillta mbi tërheqjen e investimeve të huaja, krijojnë mirëqenie dhe mundësi të shumta për qytetarët e tyre, në krahasim me ato vende që nuk kanë politika investimesh.

Mirëqenia përkthehet në rritje ekonomike, vende të reja dhe rritje të ardhurash. Por është gjithashtu e lidhur me përfitimin e teknologjive të reja dhe modernizimin e kapaciteteve të fuqisë së kualifikuar punonjëse. Për të gjitha këto arsye, politika e nxitjes së investimeve është shtylla ndërlidhëse e të gjitha rekomandimeve të tjera që ne kemi.

Investimet e huaja

Shqipërisë i mungon një strategji e mirëfilltë për të tërhequr IHD. Dhe kjo ka bërë të humbasë terren rajonal, ndaj Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që kanë adoptuar politika shumë më agresive ndaj tërheqjes së IDH.

A ka Shqipëria një strategji për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte dhe si krahasohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor? 

Kohët e fundit, Shqipëria ka pasur disa arritje në fushën e IHD dhe partneritetet e krijuara në zbatimin e projekteve ambicioze me kompani ndërkombëtare serioze. Dua të veçoj këtu, projektin e Skavicës apo të Portit të Vlorës me konglomerate ndërkombëtare si Bechtel apo Exxon Mobile. Këto projekte, nëse përparojnë, do jenë domethënëse për ekonominë shqiptare dhe janë inkurajuese.

Por këto projekte kanë qenë produkt i përpjekjeve të drejtpërdrejta nga nivele të larta qeverisje. Megjithëse iniciativa të suksesshme, ato nuk zëvendësojnë dot investimet organike, cilësore që prodhon tregu i lirë, i bazuar mbi incentiva të pastra ekonomike të sipërmarrësve privat. Në këtë aspekt, Shqipërisë i mungon një strategji e mirëfilltë për të tërhequr IHD. Dhe kjo ka bërë të humbasë terren rajonal, ndaj Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që kanë adoptuar politika shumë më agresive ndaj tërheqjes së IDH.

Strategjitë e suksesshme në IDH, përcaktojnë fillimisht sektorët prioritarë ku vendi ka burime dhe aftësi mbi mesataren dhe të kombinuar me investime cilësore dhe sasiore, krijon një përmasë të krahasueshme në nivel konkurrence botërore. (Dua të theksoj se nuk është e domosdoshme të jesh vend i madh për të pasur sektorë konkurrues).

Së dyti, pasi sektorët prioritarë përcaktohen, atëherë duhet zbuluar një plan transparent investimesh publike, si në infrastrukturë, që u paraprin investimeve private. Së treti, është e rëndësishme të përcaktohen incentivat që kompanitë private – të brendshme apo të huaja – do të kenë nëse investojnë. Këto incentiva janë të lidhura me përmasën e investimit, numrin e vendeve të reja të punës që krijojnë, të ardhurat në ekonomi, taksat etj. Një pamje e tillë e plotë sjell garanci për interesin që sektori privat do ketë për investime në nisma publike.

 

Përveç strategjisë, cilat janë rekomandimet kryesore për politika të suksesshme në tërheqjen e këtyre investimeve?

Së pari, është shkurtimi i procedurave të zgjatura, burokratike për lejen e investimeve. Një nga përparësitë konkurruese pse Serbia dhe Maqedonia e Veriut tërheqin në nivele të larta Investime të Huaja Direkte janë procedurat e lehta për lejen e investimeve.

Së dyti, është me rëndësi krijimi i një pakete progresive stimujsh për të nxitur investimet e qëndrueshme përmes vlerësimit të performancës, stimujve rregullatorë, proceduralë dhe financiarë.

Së treti, shumë e rëndësishme për AmCham dhe për tregun shqiptar, është miratimi i një politike me bazë rregullash të qarta, që dekurajon monopolet dhe përqendrimin e tregut. Nëse tre kriteret e mësipërme fillojnë të zbatohen, ndikimi do të ishte i shpejtë.

Jeni shprehur publikisht për korrupsionin, pse është ky fenomen me rëndësi të veçantë në Dhomën Amerikane? 

Praktikat korruptive janë një nga shqetësimet më konstante të komunitetit të AmCham. Por, korrupsioni nuk është vetëm shqetësim i AmCham. Në të njëjtën linjë, edhe perceptimi i publikut është në nivele shqetësuese. Për ekonominë shqiptare në zhvillim, fenomeni i korrupsionit është shndërruar në një sëmundje të rëndë kronike, të lidhur me padrejtësinë dhe pandershmërinë ndaj bizneseve. Kjo e ka kthyer vendin pothuajse në një zonë të padëshiruar nga investitorët. Ka ardhur koha që korrupsioni të luftohet me rezultate konkrete në të gjitha degët e përhapjes së tij nga niveli më i vogël i administratës publike në nivelet më të larta qeverisëse.

A është lufta kundër korrupsionit përgjegjësi vetëm e qeverisë dhe sistemit të drejtësisë? Çfarë kontributi mund të ofrojë sektori privat dhe shoqëria civile? 

Vullneti politik ka rëndësi primare në luftën ndaj korrupsionit. Por shoqëria civile dhe biznesi kanë gjithashtu një rol të rëndësishëm. Historia e shkurtër postkomuniste shqiptare ka ndërtuar një skepticizëm, si nga qeveria ashtu dhe nga sektori privat për mundësinë e bashkëpunimit mes tyre. Strukturat e AmCham kudo në botë e shikojnë këtë ndryshe. Bashkëpunimi i sektorit publik me atë privat është kusht i rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit.

Së pari, qeveria duhet ta konsiderojë sektorin privat si një aleat të çmuar në këtë aspekt, duke i ofruar transparencë maksimale në operacionet publike. Kjo do të rriste besueshmërinë e qeverisë ndaj luftës kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin e sektorit privat ndaj identifikimit të padrejtësive.

Për shembull, inkurajimi dhe mbështetja (financiare) e standardeve Open Data, apo mediave të ngjashme, si një standard i përcaktuar ndërkombëtar në monitorimin e operacioneve publike do të ishte një vlerë e shtuar. Rritja e e-Albania nuk duhet të shihet vetëm si shërbim ndaj qytetarëve (padyshim i vlefshëm), por dhe si platformë ku dokumente publike të agjencive publike mund të aksesohen. Fuqizimi i instrumenteve të tillë, që synojnë transparencën, do të rriste besimin afatgjatë te menaxhimi i prokurimeve publike, uljen e keqinformimit dhe rritjen e kontributit të shoqërisë civile.

Përveç përfshirjes së shoqërisë civile, cilat janë rekomandimet tuaja ligjore në luftën kundër korrupsionit?

Ne sugjerojmë dy ndërhyrje ligjore. Së pari, një paketë ligjore Anti-Ryshfet, e cila përcakton kushtet për ndëshkim dhe sanksione për raste korruptive të qeverisjes së mëparshme dhe kësaj aktuale. Praktikat më të mira që ne rekomandojmë është përputhja me standardet e parashikuara në konventën e OECD për Anti-Ryshfetin si dhe rekomandimet e Bashkimit Europian.

Kjo do ngushtonte dukshëm hapësirën ligjore për abuzim nga punonjës të mesëm të hierarkisë administrative publike, do të dobësonte presionin abuziv nga zyrtarët e lartë të korruptuar tek ata të mesëm dhe do ta bënte më të lehtë identifikimin e padrejtësisë nga organet gjyqësore.

Po aq me rëndësi për Dhomën Amerikane, është eliminimi “Përjashtimeve Speciale” nga ligji për Prokurimet Publike, një praktikë që lë hapësirë për abuzime me risk të lartë për korrupsion pasiv dhe aktiv, si dhe përcaktimi i kushteve të qarta për prokurime speciale në rastet e rëndësisë strategjike.

Z. Jaço, sipas raportit, ndikimi i pandemisë dhe progresi më i ulët se sa pritej në treguesit kryesorë, kanë qenë faktorët kryesorë në rezultatet e treguara. Sa mendoni se do të vijojnë të jenë faktorë edhe pas 2021?

Mendoj se sfida nuk ka mbaruar dhe do të vijojë në 2022, por do jetë e një natyre tjetër. Adoptimi me realitetin e ri do jetë sfida më e madhe për bizneset shqiptare në nivel afatgjatë. Në një këndvështrim të përgjithshëm simbolik, situata e bizneseve dhe klimës ku ato operojnë, është si ajo anija në mes të oqeanit që përpiqet mes baticave dhe zbaticave të mëdha të gjejë vijën e duhur të lundrimit. Por për këtë i duhet së pari një busull, forca e bashkëpunimit për t’ia dalë dhe zbatimi i koordinatave të duhura.

Në këtë sens, ne vlerësojmë qasjen bashkëpunuese të Qeverisë me Dhomën Amerikane dhe komunitetin e biznesit ashtu siç vlerësojmë potencialet që Shqipëria ka dhe mundësitë për t’u bërë së shpejti pjesë e Bashkimit Europian.

Por nëse sfidat aktuale nuk do të adresohen përmes zgjidhjesh afatgjata, ritmet e Shqipërisë për të pasur një ekonomi konkurruese dhe tërheqëse do të jenë të pamjaftueshme për kohën që po jetojmë dhe me pasoja për brezin e ri. Ne jemi të prirë të besojmë se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të përparojë në garën rajonale të investimeve dhe zhvillimit të bizneseve. Por mendoj se është koha e duhur që Shqipëria të nisë punën seriozisht për ta fituar këtë garë!

Sipas shqetësimeve të bizneseve, gjetja e stafit të kualifikuar lokal mbetet një sfidë e rëndësishme. A mendoni se kjo do të mbetet një “thembër Akili” në tregun shqiptar?

Po, ne parashikojmë që çështja e burimeve njerëzore të kualifikuara do të mbetet sfiduese për një kohë të gjatë. Disa nga arsyet janë globale dhe jo domosdoshmërisht lokale. Për shembull, avancimi i shpejtë i teknologjisë dhe ndryshimet në kushtet e punës (p.sh. gjatë pandemisë) kanë krijuar një terren i cili kërkon kualifikime dhe aftësi tjetër nga forca punonjëse. Por disa nga çështjet janë dhe lokale specifike.

Si pjesë e Axhendës së Investimeve, ne i kemi dedikuar një kapitull të veçantë kualifikimit të forcës punonjëse, ku theksojmë një bashkëpunim më të thellë mes administratës publike dhe sektorit privat. Por në përgjithësi, jam optimist. Shqipëria ka talente të jashtëzakonshme dhe një forcë të re punëtore, e etur për mundësi profesionale, që e bën atë konkurruese në shumë aspekte. /Monitor 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat