13.5 C
Tirana
Thursday, April 25, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetAksidentet rrugore si bilanc lufte/ Shkaktarët, “njerëzit më me fat”

Aksidentet rrugore si bilanc lufte/ Shkaktarët, “njerëzit më me fat”

Celulari, shpejtësia tej normave, mosvendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i alkolit apo lëndëve narkotike dhe sjellja e këmbësorëve janë shkaqet e vërteta të dhjetëra dosjesh dëmshpërblimi që firmos çdo ditë, dëme që vijnë nga aksidentet automobilistike, pavarësisht se Policia Rrugore “cilëson” të tjerë shkaktarë dytësorë, ose shpesh të stisur, për të përcaktuar kronologjinë e ngjarjeve dhe shkaktarët e aksidenteve!

Sipas statistikave, Shqipëria ka një normë prej 14 aksidentesh për 100 mijë banorë, shifër kjo e vlerësuar ndër më të lartat në vendet e rajonit.

Në një raport të mëparshëm, Banka Botërore e rendiste Shqipërinë në vendin e tretë në Europë për normën më të lartë të vdekjeve në rrugë, përkatësisht 94 vdekje për 1 milion banorë.

Në Shqipëri ka çdo ditë mbi 50 aksidente automobilistike, ku më shumë se 10 prej tyre janë me persona të lënduar.

Vetëm në 11-mujorin e vitit 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 176 persona nga 168 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe nga 203 persona të vdekur në po të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në muajin Nëntor 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 11 persona, nga 15 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lexo edhe: Makinat e sapotarguara “reklamohen” si makina të reja/ Shkaktare të mbi 70% të aksidenteve

Ka shumë arsye për gjithë këto aksidente, arsye të cilat i kemi përmendur herë pas here. Por ajo që duhet theksuar është se të gjithë e pranojmë që rrugët e Shqipërisë janë plot me patrulla policore, që është një stres tjetër më vete për drejtuesit e automjeteve.

Fakti që në vendet e Europës Perëndimore apo në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi mund të kalosh gjithë territoret e këtyre vendeve dhe nuk ke asnjë patrullë policie flet qartë se rregullat e qarkullimit janë bërë pjesë e jetës së përditshme atje dhe në rast aksidenti, për 3 minuta,  në vendngjarje janë grupet e gatshme apo patrullat policore që veprojnë menjëherë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjes në mbarë botën për grupmoshën 15-29 vjeç. Këtu përfshihen edhe aksidentet ku humbin jetën këmbësorët, ngarësit e biçikletave dhe motorëve.

Fakti që, jo pak, por shumë ose më shumë se 50% e motorrave që lëvizin në rrugët e Shqipërisë janë të pasiguruar, ose që pothuajse gjithmonë shpallen joshkaktarë në aksidente flet qartë për qëndrimin e policisë në ndarjen e fajësisë në aksidente, pasi motorrat ndonëse gjithmonë do thoja janë fajtorë në dëmtimet kundrejt të tjerëve dhe gjithashtu dhe vetë janë më të dëmtuarit në aksidente, sepse ato në çdo përplasje natyrisht bien për tokë.

Nga ana tjetër, edhe pse faji është i drejtuesit të motorrit, fajësia gjithmonë bie mbi mjetet me 4 rrota. Gjykimin për lëvizjen e tyre mund ta bëjë secili nga ne, sepse çdo ditë i shohim sesi ecin dhe sesi na e presin rrugën!

Provim për rinovimin e patentës, por “harrohen” shkaktarët e dëmeve

Kushdo që do të rinovojë patentën duhet të kalojë fillimisht edhe një miniprovim të shkurtër në lidhje me sigurinë rrugore, sjelljen e këmbësorëve dhe qëndrimin e pasagjerëve në automjet.

Rifreskimi i njohurive do të bëhet pranë sporteleve të Drejtorisë së Transportit Rrugor, aty ku është marrë deri tani leja e drejtimit. Drejtoria e Transportit Rrugor do të vendosë në dispozicion për shoferët pyetësorin në formën e një  broshure me informacionet për të cilat ata duhet të kenë dijeni.

Të gjithë personat që do të ngelin në provimin e shkurtër do të shkojnë sërish në provim.

Sipas ekspertëve, kjo pritet të sjellë një ulje të numrit të aksidenteve rrugore dhe mobilizim të drejtuesve të mjeteve.

Por ekspertët “kanë harruar” të ritestojnë ata që rezultojnë në arkivat e Policisë Rrugore dhe kompanive të sigurimit si shkaktarë kronikë të aksidenteve dhe dëmeve materiale e shëndetësore që pasojnë ato.

Shkaktarët e aksidenteve “me fat

Vetëm në Shqipëri ndodh që të shkaktosh aksident, të bëhesh burim rreziku për jetën e e të tjerëve, përveçse për veten, dhe prapë të paguash të njëjtin çmim për siguracionin. Në asnjë vend të botës nuk ndodh diçka e tillë!

Nëse shkakton një aksident, me pasoja të rënda apo të lehta çfarëdo qoftë, duhet të paguash më shumë për siguracionin e radhës, sepse logjikisht ky është një person me një potencial të lartë për të shkaktuar një tjetër aksident, që do të thotë më shumë aksidente, më shumë persona të lënduar apo fatkeqësisht jetë të humbura, më shumë dëme financiare e me radhë.

Sipas statistikave, 10% e drejtuesve të automjeteve në Shqipëri shkaktojnë mbi 2 aksidente në vit. Këta shkaktarë aksidentesh konsiderohen “me fat” sepse, duke përjashtuar rastet kur pësojnë dëme shëndetësore, ata nuk kanë asnjë penalitet. Çmimi i siguracionit nuk u rritet, marrin para edhe si shkaktar edhe si i dëmtuar, sepse përfitojnë nga sigurimi “Minikasko” apo “Kasko” me të cilin kushdo që shkakton aksident, është apo nuk është fajtor, dëmshpërblehet.

Madje absurdi më i madh është se edhe personat e pasiguruar, ka raste që përfitojnë para nëpërmjet dëmshpërblimit nga kompanitë e sigurimeve, sepse Byroja e Sigurimeve dhe vetë kompanitë e sigurimeve nuk e çojnë çështjen në regres për ti marrë të pasiguruarit shumën e parave që vetë ata kanë paguar si dëmshpërblim për personin e dëmtuar në aksident.

Aktualisht numërohen mbi 2 mijë shkaktarë dëmesh të pasiguruar, ku një pjesë e tyre përfiton nga dëmshpërblimi edhe pse nuk kanë siguracionin e detyrueshëm të automjetit dhe qarkullojnë në kundërshtim me ligjin në rrugët e Shqipërisë.

Kush do ti paguajë milionat e Eurove që janë të mbartura nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve, pikërisht për shkak të këtyre individëve që nuk sigurohen dhe shkaktojnë aksidente?

Ti paguajnë qytetarët e rregullt, ata që pajisen me siguracione rregullisht dhe që nuk shkaktojnë asnjë aksident, sikundër ndodh aktualisht? Apo të forcojmë ligjin dhe të fillojmë ta zbatojmë atë, duke bërë që çdokush të paguajë aaq sa meriton?!…

Lexo edhe: Covid-19, Omicron, kancer, aksidente… Si të mbrojmë shëndetin në këto kohë të vështira

 

 

 

 

 

 

 

 

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat