Përllogaritësi i dëmeve ndaj personit, në rastet e aksidenteve nga mjetet motorike në sektorin e transportit, i prezantuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe i publikuar në faqen e tij zyrtare në fund të vitit të kaluar, ka gjetur përdorim të zgjeruar nga mbi 23 mijë qytetarë/profesionistë të fushës/persona të interesuar në dy muajt e parë të vitit 2022.
Aplikacioni bazohet në Rregulloren nr. 125, datë 28.07.2021 “Për përcaktimin e rregullave dhe metodologjisë së llogaritjes së dëmshpërblimit që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, miratuar nga Autoriteti në zbatim të ligjit të ri për “Sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2021.
Aplikacioni u zhvillua nga Autoriteti për t’i ardhur në ndihmë palëve përfituese, si edhe vetë ekspertëve të fushës në vlerësimin e dëmeve dhe trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim. Përllogaritësi bazohet në disa supozime, vlerat e përllogaritura janë orientuese dhe synojnë të informojnë përdoruesit mbi masën e dëmshpërblimit në rastet e dëmit ndaj personit, me pasojë paaftësinë e përhershme për punë ose me pasojë vdekjen.
Nëpërmjet aplikacionit në linkun https://crm.amf.gov.al/ dëme realizohet përllogaritja automatike e vlerës së dëmit, përmes plotësimit manual të fushave të kërkuara, duke pasqyruar vlerën për çdo figurë dëmi dhe duke bërë transparencë mbi vlerën e dëmit pasuror dhe dëmit jopasuror.
Sipas AMF, aplikacioni shërben gjithashtu në funksion të edukimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve në fushën e sigurimeve.
LEXO EDHE: Workshop-i rajonal/ Dëmet e paguara, çelësi i suksesit për SIGAL UNIQA