Tregu i fondeve të investimit shënoi ritme relativisht të larta të rritjes vitin e kaluar, pas një cikli disavjeçar në stanjacion.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se në fund të vitit 2021 asetet neto të tregut arritën vlerën e 77 miliardë lekëve ose rreth 615 milionë euro. Gjatë një viti, vlera e aseteve e tregut është zgjeruar me 15.3%.
Rritja e tregut të fondeve të investimit duket se është ndikuar pozitivisht nga disa faktorë. Përmirësimi i ndjeshëm i ekonomisë reale vitin e kaluar duket se ka krijuar një klimë më të favorshme në drejtim të zgjerimit të investimeve financiare. Një ndikim pozitiv ka dhënë edhe përmirësimi i kthimeve nga investimi të fondeve, sidomos të atyre në valutë të huaj. Kjo i ka bërë fondet më atraktive për investitorët. Në fund të vitit 2021, numri i anëtarëve në fondet e investimit arriti në më shumë se 40 mijë, me një rritje prej 22.65% që nga fillimi i vitit.
Gjithashtu, një shtysë për rritjen e tregut ka ardhur nga hyrja e aktorëve të rinj në treg. Në periudhën 2020-2021, AMF ka licencuar gjashtë fonde të reja investimesh. Këtu përfshihen fondet e shoqërive administruese që kanë hyrë në treg gjatë periudhës së mësipërme, si Albsig Invest dhe ABI Invest, por edhe për fonde të reja të aktorëve ekzistues, si Raiffeisen Invest dhe WVP Fund Management Tirana. Sipërmarrësit kryesorë në tregun e fondeve të investimit në Shqipëri ngelen bankat dhe shoqëritë e sigurimeve. Nga njëmbëdhjetë fonde të licencuara aktualisht, katër administrohen nga Raiffeisen Invest, tre nga ABI Invest, një nga Credins Invest, dy nga WVP Fund Management Tirana dhe një nga Albsig Invest.
Edhe për vitin e kaluar, në volume, tregu u dominua nga fondet e administruara nga shoqëria Raiffeisen Invest, me më shumë se 93% të aseteve totale neto të tregut. Fondi Raiffeisen Prestigj në lekë kryeson me 60.4%, i ndjekur nga Raiffeisen Vizion me 22.4% dhe Raiffeisen Invest Euro me 10.4%.
Të ndara sipas monedhës, pjesën dërrmuese të tregut e përbëjnë asetet e fondeve në lekë, me rreth 88% të totalit. Fondet në lekë i investojnë kuotat e anëtarëve kryesisht në tituj borxhi të qeverisë shqiptare, në mungesë të alternativave të tjera. Kjo jep një siguri të lartë për anëtarët, por nga ana tjetër i kufizon ndjeshëm hapësirat e diversifikimit të portofoleve dhe të përmirësimit të kthimeve. Në afatin e gjatë, kjo mund të jetë potencialisht një faktor që i kufizon hapësirat e rritjes së tregut. Aktualisht, fondet e investimit në lekë kanë një profil të ngjashëm me njëri-tjetrin dhe ofrojnë kthime pak më të larta se depozitat bankare. Shoqëritë administruese janë të interesuara për ta zgjeruar spektrin e investimeve edhe tek instrumentet e emetuara nga sektori privat.
Asetet e fondeve të investimit në valutë në fund të vitit të kaluar përbëjnë më pak se 12% të totalit. Fondet në valutë kanë një luhatshmëri më të madhe dhe gjatë periudhës së pandemisë kanë qenë më të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregjeve globale. Pasi pësuan rënie në 2020, gjatë vitit 2021 kthimet e fondeve në valutë të huaj u kthyen në territor të rritjes pozitive.
Megjithatë, pjesa më e madhe e aseteve në valutë janë të investuara në obligacione të qeverive dhe korporatave të huaja, instrumente me rrezik relativisht të ulët. Vetëm një pjesë shumë e vogël investohen në instrumente me rrezik më të lartë, kryesisht aksione. Aktualisht, fondet e angazhuara pjesërisht apo plotësisht në në investimin në aksione janë WVP Top Invest, WVP Global, ABI FLEX EUR dhe ABI FLEX USD. Të marra së bashku, këto fonde zotërojnë gjtihsej më pak se 0.6% të aseteve neto të tregut./Monitor