11.5 C
Tirana
Sunday, November 17, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLifestyleKëshillaTre aftësitë kryesore që kërkohen nga punëdhënësit në vitin 2022

Tre aftësitë kryesore që kërkohen nga punëdhënësit në vitin 2022

Një nga sfidat më të mëdha për të gjetur një punë të re është të bëni dallimin nga konkurrentët e tjerë: Në një grumbull me qindra, ndonjëherë me mijëra aplikime, pse duhet një rekrutues që t’ju zgjedhë ju?

Dallimi midis ofertës ose refuzimit mund të varet nga aftësitë tuaja – jo thjesht nga kualifikimet që rendisni në CV, por edhe nga shembujt që jepni gjatë intervistës ose në letrën e motivimit, të cilat nxjerrin në pah pikat tuaja të forta.

Menaxherët e punësimit po i japin aq shumë përparësi aftësive soft sa kurrë ndonjëherë. Ata po e kuptojnë se kjo botë e re e punës në distancë kërkon njerëz që mund të përshtaten dhe që janë të etur për të mësuar“, thotë eksperti i karrierës në LinkedIn, Andrew McCaskill.

Sipas raportit global të Monster “Future of Work” (E Ardhmja e Punës), i cili përfshinte përgjigjet nga 3,000 drejtues biznesesh në muajin shtator, 58% e punëdhënësve thanë se gjetja e kandidatëve me aftësitë e duhura ka qenë sfida e tyre më e madhe e punësimit gjatë pandemisë së koronavirusit.

Nga ana tjetër, 63% e punëdhënësve thanë se do të preferonin më shumë të punësonin dikë me aftësi të transferueshme, për shembull, puna në grup, menaxhimi i kohës ose lidershipi dhe ta trajnonin për aspektet teknike të punës.

Këtu janë tre aftësitë kryesore që u nevojiten punëkërkuesve në vitin 2022, sipas ekspertit të karrierës së McCaskill dhe Monster, Vicki Salemi.

Besueshmëria

Në rrethanat e shifrave rekord të largimeve nga puna dhe kufizimeve në tregun e punës, punonjësit e besueshëm janë një pasuri e jashtëzakonshme për kompanitë. McCaskill vëren se besueshmëria është një “aftësi kryesore” që punëdhënësit presin nga ekipet e tyre dhe një atribut i rëndësishëm për t’u theksuar në CV-në tuaj.

Ka shumë mënyra për ta vënë theksin te besueshmëria në aplikimin tuaj, që nga demonstrimi i faktit se jeni të vetë-mjaftueshëm dhe mund të arrini qëllimet ose objektivat e kompanisë, deri te nxjerrja në pah e aftësive të lidershipit në një projekt të rëndësishëm ku keni marrë pjesë”, shpjegon ai.

Ju mund t’i tregoni një rekrutuesi se jeni një punonjës i besueshëm duke i shpjeguar atij përgjegjësitë e përditshme që keni pasur në punën tuaj më të fundit. Përmbushja e afateve, përgjigjja në kohë ndaj kërkesave dhe marrja përsipër e detyrave janë të gjitha shembuj të besueshmërisë në vendin e punës.

Komunikimi

Komunikimi i shpeshtë dhe i qartë është një aftësi kritike që rekrutuesit kërkojnë te kandidatët, veçanërisht në rrethanat kur shumë kompani vazhdojnë me punën në distancë ose me atë hibride.

Pandemia ka forcuar nevojën për të qenë të shkëlqyer në komunikim, për t’u siguruar që asgjë nuk lihet në dorë të interpretimeve, sepse jemi duke punuar në vende të ndryshme, si dhe ka nxjerrë në pah gjithashtu nevojën për empati në këto kohë të vështira”, thotë McCaskill.

Përveç shtimit të kësaj aftësie në CV-në tuaj dhe në profilin e LinkedIn, ju duhet të demonstroni aftësitë tuaja të komunikimit, qoftë në letrën e motivimit, apo edhe gjatë intervistës, me shembuj konkret.

Kur një rekrutues ju pyet: ‘Si e trajtuat një situatë që nuk shkoi ashtu siç dëshironit?’, mund të përmendni se keni njoftuar ekipin tuaj në kohë reale me email, më pas keni bërë sugjerime se si mund të përmirësohej situata për të ecur përpara”, thotë Salemi për CNBC Make It.

Zgjidhja e problemeve

Pandemia na ka detyruar të gjithëve që të përshtatemi dhe të jemi elastikë përballë ndryshimeve të vazhdueshme. Aftësitë e zgjidhjes së problemeve janë bërë thelbësore në një mjedis pune ku komunikimi dhe bashkëpunimi mund të duken të fragmentuara.

Punëdhënësit duan njerëz që janë të shkathët dhe mund të zgjidhin konfliktet nëpërmjet ideve unike,” thotë McCaskill.

Përpara intervistës, Salemi rekomandon të mendoni për të paktën një situatë ku keni marrë drejtimin dhe keni zgjidhur një problem duke përdorur kreativitetin dhe të menduarin kritik.

Kjo situatë mund të përfshijë punën me një klient të vështirë, ndihmën në rastet e mungesave të personelit ose zgjidhjen e një çështjeje teknike.

Sigurohuni që historia juaj t’u përgjigjet këtyre tre pyetjeve, thotë Salemi:

  • Cila ishte situata?
  • Si e keni trajtuar atë?
  • Cili ishte rezultati dhe ndikimi juaj? /CNBC

Lexo edhe: Viti 2021 për SIGAL UNIQA Group Austria, kompania që kontribuon në çdo sfidë

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat