Ende nuk dihen shkaqet që kanë sjellë vdekjen e një të riu të huaj në Tiranë, kufoma e të cilit u gjet sot në mëngjes nga kalimtarët e një prej akseve më të populluara të kryeqytetit.
Personi i vdekur, sipas autoriteteve një shtetas sirian me moshë rreth 30-vjeçare, ndodhej në “Rrugën e Durrësit”.
Forcat e rendit ndodhen në vendngjarje, ndërkohë që paraprakisht autoritetet nuk kanë parë shenja dhune në trup, dhe mendojnë se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale, ndoshta edhe si pasojë e motit të ftohtë gjatë natës.
Kryeqyteti shqiptar, si dhe qytete të tjera shqiptare, kanë parë prej muajsh rritjen e emigrantëve, kryesisht nga Siria e shkatërruar nga lufta, të cilët hyjnë ilegalisht, sepse shohin vendin tonë si destinacion transit drejt vendeve të Bashkimit Europian.