Ditën e enjte të kësaj jave, më 18 qershor 2026, në ambientet e Hotel Tirana International, do të zhvillohet Konferenca mbi Pensionet Private në Shqipëri dhe Kursimet Afatgjata, një aktivitet i organizuar nga SIGAL Pension. “Vitet e Arta” do të jetë nëntitulli i kësaj konference, që synon të sjellë në qendër të vëmendjes rëndësinë e planifikimit financiar afatgjatë dhe rolin në rritje të pensioneve private në mirëqenien ekonomike të qytetarëve shqiptarë.
Konferenca do të mbledhë përfaqësues të institucioneve publike dhe private, ekspertë të tregut financiar, profesionistë të sektorit të sigurimeve dhe pensioneve, si dhe aktorë të tjerë të interesuar për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe modern të pensioneve private në Shqipëri.
SIGAL Pension të fton të marrësh pjesë nëse vërtetë po mendon të dish mundësitë më të zgjuara të investimit e kursimit për moshën tënde të tretë. Në kushtet e ndryshimeve demografike, sfidave të tregut të punës dhe nevojës për të garantuar siguri financiare pas përfundimit të jetës aktive profesionale, pensionet private po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe si instrument i kursimit dhe investimit afatgjatë.
Aktiviteti do të strukturohet në dy panele kryesore diskutimi. Paneli i parë, me temë “Pensioni Privat: Mekanizmat e funksionimit, qëndrueshmëria dhe roli në sigurinë financiare afatgjatë”, do të trajtojë funksionimin e fondeve të pensioneve private, avantazhet që ato ofrojnë për individët dhe familjet, si dhe kontributin e tyre në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt financiare. Paneli i dytë, me temë “Zhvillimi i Pensioneve Private: Praktikat Evropiane dhe Prioritetet për Shqipërinë”, do të fokusohet në përvojat e vendeve evropiane, modelet e suksesshme të zhvillimit të tregut të pensioneve private dhe hapat që mund të ndërmerren për të forcuar më tej këtë sektor në Shqipëri.
Konferenca përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të reflektuar mbi sfidat dhe perspektivat e pensioneve private në Shqipëri, sa edhe për të përcjellë të qartë e të thjeshtuar informacionin praktik se si funksionojnë dhe çfarë përfitimesh konkrete sjellin pensionet private në Shqipëri. Aktiviteti do të moderohet nga gazetari Klodian Karaj.
Data: 18 Qershor 2026
Vendi: Hotel Tirana International, Tiranë
Organizator: SIGAL Pension




