Rast konkret. Aksidentohet një mjet i siguruar KASKO në një qytet jugor të Shqipërisë. Në drejtimin e automjetit, sipas raportit policor që dokumenton dinamikën e aksidentit, miku i ngushtë i pronarit të automjetit. Makina e huazuar për pak ditë mes miqsh.
Punonjësi policor i paraqitur në vendngjarje u kërkon palëve dokumentacionin dhe në raport shkruan qartë: në drejtim të automjetit ishte personi X, me nr. patente X0X, mik i ngushtë i pronarit të mjetit, personit Y.
Në krye të javës pronari i mjetit paraqitet te siguruesi, te kompania e sigurimeve, për të kërkuar dëmshpërblimin. Kompania siguruese e refuzon.
“Keni thënë që përfitoj nga KASKO edhe nëse jam fajtor”, ishte pretendimi i pronarit të automjetit, i cili nuk e përfitoi dëmshpërblimin.
“Nuk po zbatoni kontratën“, ishte një pakënaqësi e tij. “Nuk dëmshpërbleni edhe kur keni KASKO”, i shkroi kompanisë siguruese në rrjetet e veta sociale, duke i dhënë protestës së tij edhe dimensionin e rrjeteve sociale.
A kishte të drejtë? JO.
Sigurime.Online synon të ndërgjegjësojë opinionin publik duke e interpretuar rastin.
Ku qëndron çështja?
I siguruari, pronari i mjetit, ka firmosur kushtet e përgjithshme të kontratës.
Sigurimi KASKO, si çdo marrje në sigurim, është marrëdhënie kontratuale, ligjore, me ndarje përgjegjësish dhe të drejtash mes të siguruarit dhe siguruesit, në rastin konkret mes pronarit të mjetit dhe kompanisë siguruese.
Miku i ngushtë i pronarit të mjetit, që në fillesa, është jashtë zyrtarizimit të kësaj marrëdhënieje ligjore.
Pronari i mjetit, i siguruari, ka pranuar ligjërisht nëpërmjet firmës se të drejtat dhe detyrimet e tij, kushtin kontratual se i mbuluari nga ky sigurim, i mbrojturi financiarisht, përfituesi, është vetëm i siguruari.
I siguruari, në rastin konkret, është pronari i mjetit.
Në çdo kontratë siguruese, te përjashtimet saktësohet se nga mbulimi përjashtohen:
“Dëmet që shkaktohen nga përdorues të mjetit të siguruar, emrat e cilëve nuk janë shënuar në kontratën e sigurimit që nënkupton janë të pasiguruar, përjashtuar familjarët e të siguruarit bazuar në të dhënat e Certifikatës Familjare”
Miku i ngushtë i pronarit nuk bën pjesë në certifikatën e tij familjare dhe si i tillë, rrjedhimisht, nuk mund ofrohet mbulim për dëmet e shkaktuara si përdorues.
Në këtë kuptim, refuzimi i kompanisë siguruese për mbulimin e dëmit nëpërmjet siguracionit KASKO është plotësisht i drejtë dhe i bazuar në marrëveshjen ligjore, kontratuale, mes palëve.
Sigurime.Online ka një këshillë të qartë: Përpara se të “hedhësh vrer” ndaj siguruesit, zbatoje me përpikëri kontratën që ke me të.




