Dy automjete u përplasën mbrëmjen e së shtunës në aksin rrugor Korçë-Bilisht.
Dy mjetet e përplasura dëmtuan edhe një mjet të tretë.
Nga ky aksident pati një rast lëndimi.
Çfarë interpretimi paraprak mund t’i bëjmë rastit nga pikëpamja e siguracioneve?
Nëse shkaktar i aksidentit është mjeti A, sigurimi i detyrueshëm motorik i mjetit A do të aktvizohet menjëherë. TPL-ja e mjetit A do të paguajë dëmet materiale të dy mjeteve të dëmtuara, B dhe C.
I njëjti sigurim mbulon edhe trajtimin shëndetësor të të tretëve. Nga mbulimi përjashtohet drejtuesi i mjetit shkaktar. TPL mbulon deri në 750 mijë euro dëme materiale dhe jomateriale.
Për dëmet shëndetësore te drejtuesi i mjetit A, sigurimi që merr përsipër këtë mbulim është sigurimi i shëndetit nga aksidentet. Ky sigurim blihet bashkë me TPL për 10 euro dhe siguron mbulim deri në 1 mijë euro për shpenzime spitalore në rast aksidenti.
Ky sigurim dëmshpërblen deri në 30 mijë euro në rast vdekjeje ose paaftësie të plotë dhe të përhershme.
Për dëmet materiale në mjetin A, nëse vlera e tyre shkon deri në 10 mijë euro, vlerën e dëmit do ta merrte përsipër një sigurim MINI KASKO.
Përndryshe, për një dëm më të madh, polica siguruese për mbulimin e duhur është KASKO.




