Një fëmijë 2-vjeçar është aksidentuar sot me makinë në Ksamil. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se shoferi, 48-vjeçar, ishte në gjendje të dehur. Për fat të mirë, fëmija, pasi mori trajtimin e parë, ndodhet në gjendje të mirë.
Çfarë mund të thuhet nga perspektiva e sigurimeve?
Së pari, trajtimi spitalor i fëmijës, nëse shoferi shpallet fajtor, mbulohet financiarisht nga siguracioni i tij TPL. TPL mbulon çdo dëm ndaj të tretëve që shkaktohet në aksident, qoftë shëndetësor, qoftë material.
Së dyti, duke qenë se drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur, kompania e sigurimeve ka të drejtën të kërkojë me padi regresi ndaj tij shumën e paguar ndaj palëve të treta. Kjo do të thotë se, edhe pse dëmi mbulohet nga TPL, kompania mund t’i kthehet me padi shkaktarit për të rikuperuar shpenzimet e paguara.
Rasti thekson rëndësinë e respektimit të ligjit dhe përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve. Sigurimet mbrojnë viktimat, por jo papërgjegjshmërinë e shoferëve të dehur, të cilët përballen me pasojat financiare dhe ligjore.




