Një tërmet 3.2 ballë i shkallës Rihter, edhe pse i ndjeshëm nga banorët, edhe pse mund të shkaktojë lëkundje të dukshme në mobilje, konsiderohet një tërmet i dobët-mesatar nga pikëpamja sizmike.
Në këtë kuptim, sipas praktikave botërore, policat e sigurimit të pronës aktivizohen, sipas kontratave, për dëme që prona pëson nga tërmete mbi 4 ballë të shkallës Rihter, të regjistruara si të tilla në qendrat sizmike.
Nëse struktura pëson dëmtime nga një tërmet 3.2 ballë, kjo nënkupton me fort të ngjarë, sipas kritereve të inxhinierisë së ndërtimit, që ajo ndërtesë nuk ka respektuar kushtet sizmike të zonës, në drejtim të fortësisë, elasticitetit dhe qëndrueshmërisë.
Shqipëria bën pjesë e gjitha në hartën e kuqe sizmike dhe veçanërisht që prej vitit 2019, në çdo pjesë të territorit, kërkohet kujdes i shtuar në drejtim të atyre elementëve.
Nëse normat ndërtimore respektohen me përpikëri, gjasat që strukutra e pronës të pësojë dëme serioze që kërkojnë aktivizimin e policës siguruese për të zhdëmtuar financiarisht dëmin me tërmete nën 4 ballë, janë pothuajse zero.
Andaj, si përgjigje e pyetjes së lexuesit të Sigurime.Online, duhet të themi: “Jo”.
Për tërmete 3.2 ballë, sigurimi i banesës, sipas policave të sigurimit që janë kontrata ligjore dhe sipas praktikave perëndimore, nuk aktivizohet. Riskun e ndërtimit të dobët e mban vetë klienti ose bashkia që e ka certifikuar si të gatshme për operim atë strukturë.




