Nëse makina juaj është e siguruar, çdo aksident rrugor mund të përfundojë me përfitim për ju, mjafton të dini hapat që duhet të ndiqni.
Kur je pala e dëmtuar, në Shqipëri, edhe nëse shkaktari i aksidentit nuk është i siguruar, kompania e sigurimit paguan dëmin dhe më pas kërkon rimbursimin nga ai që e shkaktoi pa sigurim.
Ligji e rregullon këtë në mënyrë të qartë, ashtu si në pjesën tjetër të botës.
Megjithatë, përpos qartësisë ligjore, shumë qytetarë nuk e dinë këtë dhe shpesh drejtohen te avokatët, të cilët marrin deri në 50% të dëmshpërblimit për të rregulluar një dokumentacion që qytetarët fare thjesht mund ta përshtasnin me konsulencën falas të kompanive të sigurimit.
Kjo praktikë ka krijuar situata të papërshtatshme dhe, në disa raste, edhe rrjete që falsifikojnë aksidente për përfitim.
Shtim apo fabrikim elementësh të paqenë, që rrjeti të rrisë marzhin e përfitimit.
Shumë qytetarë mendojnë se kompanitë nuk paguajnë, por realiteti është ndryshe:
rreth 95% e dëmshpërblimeve paguhen direkt nga kompanitë e sigurimit, shpesh edhe më shpejt se në vendet e Bashkimit Evropian.
Për shembull, pas tërmetit, kompania SIGAL pagoi mbi 16 milionë euro për dëmet e shkaktuara, duke mundësuar që qytetarët të përballonin situatën pa vonesa.
Sigurimi motorik mbulon dëmet që makina juaj mund t’u shkaktojë të tjerëve (TPL) dhe dëmet e vetë automjetit (KASKO). Ndërsa shumë shqiptarë nuk kanë këto sigurime, në Evropë kjo është standard i përditshëm. Për të shmangur ndërmjetësit dhe humbjen e një pjese të dëmshpërblimit, qytetarët duhet të paraqiten direkt te kompania e sigurimit me dokumentacionin përkatës.
Në këtë mënyrë, dëmshpërblimi mund të merret më shpejt dhe në mënyrë të sigurt. Procesi është i rregulluar nga ligji, i mbikëqyrur nga AMF, dhe nuk kërkon domosdoshmërisht ndërmjetës ligjorë. Edukimi qytetar dhe informimi i duhur janë çelësi për të përfituar plotësisht nga sigurimi dhe për të ndërtuar besimin në këtë industri.
Në fund, çdo qytetar duhet të dijë: Ndjekja e procedurave të thjeshta dhe të qarta është mënyra më e mirë për të përfituar nga kjo mbrojtje dhe për të shmangur humbjet e panevojshme.
86 milionë euro u pagoi qytetarëve gjatë vitit 2025 industria e sigurimeve, 2.25 herë më tepër se sa 10 vjet më parë, ndërsa norma e penetrimit të sigurimeve në ekonomi, në këto 10 vjet, ka lëvizur nga 0.97 në 1.01%.
Kjo është provë e pakontestueshme shifrore që ndryshe nga sa fabrikohet, kompanitë paguajnë përherë e më shumë thjesht duhen shmangur rrjetet ndërmjetëse që me anti-reklamë, mosbesim dhe në kaos rrisin pjesën e tyre të përfitimit.




