Pavarësisht se tarifat e sigurimit të detyrueshëm për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (TPL) janë liberalizuar, ato në Shqipëri, si çmim, mbeten në nivele shumë të afërta mes kompanive, me një dinamikë të qëndrueshme vit pas viti.
Drejtori i përgjithshëm i SIGAL Insurance Group, Avni Ponari, shpjegon arsyet e kësaj situate gjatë intervistës në podkastin e Revistës Monitor:
“Tarifa e primit nuk mund të shkojë nën një nivel minimal të caktuar, sepse është përcaktuar nga aktuaret. Kjo garanton që shpenzimet e sigurimit të jenë të balancuara dhe të krahasueshme mes kompanive. Në thelb, të gjitha kompanitë paguajnë gati njësoj për administrimin e riskut, dhe kjo ruan stabilitetin e tregut,” tha Ponari.
Ai shtoi se një arsye tjetër është klientela e përqendruar: “Klientët e SIGAL qëndrojnë te SIGAL. Tregu ka arritur të heqë nga lista fondin e kompensimit për të pasiguruarit, një masë që reduktoi rrezikun dhe rriti stabilitetin e primeve.”
Sipas z. Ponari, pjesa e makinave të pasiguruara në Shqipëri është rreth 20%, ndërsa vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, kanë zgjidhur këtë problem me teknologji të reja si kamerat që lexojnë targat.
“Ne vendosëm që mjetet e pasiguruara të paguhen direkt nga kompanitë, duke ulur fondin e kompensimit pothuajse në zero. Kjo është një nga arritjet më të mëdha të tregut shqiptar,” tha Ponari, duke e cilësuar si një hap drejt modernizimit të industrisë.
Ai theksoi se sistemi bonus-malus e ka bërë tregun më transparent dhe të drejtë: “Tani klientët mund të blejnë sigurimin online, të ndjekin historikun e dëmeve, dhe çmimi i sigurimit llogaritet automatikisht mbi të dhënat reale. Ai që shkakton aksident paguan më shumë, ai që nuk shkakton aksident përfiton një ulje.”
Por sipas Ponarit, problemi nuk është vetëm çmimi i TPL-së, por edhe mungesa e ndërgjegjësimit të popullsisë për produktet e sigurimeve jo-jetë, si shtëpitë, bizneset apo sigurimi ndaj fatkeqësive natyrore.
“Shqiptarët shpenzojnë mesatarisht 70 euro për frymë për sigurimet jo-jetë, ndërsa në shëndet dhe jetë vetëm 5–10 euro. Edhe kur përmbytet gjysma e vendit, objektet e siguruara mund të numërohen me gishta.”, ishin fjalët e z. Ponari.
Ponari thekson se puna e kompanive është të edukojnë dhe bindin qytetarët, duke filluar nga portat hyrëse si TPL-ja, për të promovuar produktet më të gjera:
“Ne përpiqemi të bindim klientin: bëj policën e sigurimit kasko. Shpesh thonë ‘jo’, edhe pse agjentët e kanë shpjeguar disa herë. Shqiptarët janë mësuar që dikush tjetër të kujdeset për ta, jo ata vetë. Ne duhet t’i bëjmë të ndërgjegjshëm dhe të pavarur financiarisht.”
Ponari theksoi gjithashtu rolin e sigurimeve në ndërtimin e personalitetit dhe pavarësisë së individit:
“Sigurimet bëjnë njeriun të lirë dhe të përgjegjshëm, që di të administrojë veten dhe pasuritë e tij. Nuk janë vetëm produkte financiare, janë instrumente të edukimit financiar dhe social.”
Ai përfundoi duke kujtuar rëndësinë e marrëdhënies kontraktuale mes siguruesit dhe të siguruarit:
“Midis siguruesit dhe të siguruarit ekziston një kontratë që duhet respektuar. Kompanitë paguajnë dëmet, por qytetarët duhet të kuptojnë rolin dhe përgjegjësinë e tyre.”




