Integrimi në infrastrukturën evropiane e ka bërë Shqipërinë një kantier rrugor ku vijon të punohet përditë. Problematika e vërejtur përgjatë punimeve është që shpesh këto rrugë mund të kthehen në “gropa thithëse” për paranë publike pak ditë pas inaugurimit të tyre dhe po aq shpesh rrezik për qytetarët për shkak të standardeve të pakënaqshme.
Në këtë pikë, sigurimet mund të jenë ndihmë shumë e madhe për buxhetin e shtetit dhe njëherësh për buxhetet e qytetarëve.
Kjo nënkupton se në dy drejtime kryesore, sigurimet mund t’i kursejnë shumë paratë publike në projektet infrastrukturore rrugore, shpenzimet vetjake si pasojë e dëmeve prej problemeve në infrastrukturë rrugore si edhe mund të rrisin shumë vëmendjen dhe kontrollin ditor mirëmbajtës të infrastrukturës rrugore.
Cilat janë këto drejtime?
Së pari, Rrugët shqiptare duhet të kenë sigurim që garanton punimet e kryera. Aktualisht, autoritetet nuk e konsiderojnë këtë si avantazh konkurrues apo detyrim ligjor në procesin e përzgjedhjes së fituesve, dhe legjislacioni nuk e kërkon sigurimin e përgjegjësisë. Çfarë ndodh nëse rruga shembet pak muaj pas inaugurimit? Buxheti i shtetit do të paguante sërish për riparimin e pasojave, ndërkohë që çdo vit shpenzon miliona euro për riparime që mund të mbuloheshin nga sigurimi. Në vende si Franca dhe Egjipti përdoret sigurimi dhjetëvjeçar, i njohur si “Sigurimi për Defekte të Fshehura”.
“Sigurimi për Defekte të Fshehura” mbulon kostot e mundshme nga shembja ose dëmtimet pas përfundimit të një ndërtese, zakonisht për 10 vjet. Në Francë dhe Egjipt ky sigurim është i detyrueshëm dhe përfshin inspektime teknike të rregullta, duke rritur kostot e ndërtimit deri në 1.5% të vlerës së strukturës. Në Shqipëri, për të mos rritur ndjeshëm shpenzimet, mund të konsiderohen periudha më të shkurtra, nga 6 muaj deri në 2 vjet, por sigurimi, si zgjidhje, mbetet i domosdoshëm për sigurinë e ndërtimit.
Së dyti rruga është pronë publike dhe mund të sigurohet si çdo pronë ndaj dëmtimeve nga fatkeqësitë natyrore, si rrëshkitje dheu, përmbytje, tërmet apo zjarre. Me sigurimin, buxheti i shtetit nuk do të paguante për riparime, ndërsa siguruesi do të kërkonte mirëmbajtje të rregullt dhe rigorozitet nga autoritetet, duke rritur vigjilencën dhe zvogëluar rreziqet. Rrjedhimisht do të rritej përgjegjësia në menaxhimin e pronës dhe të parave publike.
Kursim, Siguri dhe Përgjegjësi, ky do të ishte ndryshimi i madh.
Sigurimet mund të mbulojnë punimet e kryera, përgjegjësinë ndaj palëve të treta dhe dëmtimet nga fatkeqësitë natyrore, duke mbrojtur buxhetin e shtetit dhe buxhetin familjar të qytetarëve përdorues të këtyre rrugëve. Një sistem i tillë rrit disiplinën, kontrollin dhe vigjilencën e autoriteteve në mirëmbajtjen e rrugëve, duke garantuar që investimet në infrastrukturë të jenë të sigurta, të qëndrueshme dhe në përputhje me standardet evropiane.




