Shoqata e Siguruesve Shqiptarë bën me dije se mashtrimet online po shtohen ndjeshëm.
Mbrojtja e të dhënave personale dhe atyre financiare, në këto kushte, bëhet më e rëndësishme se kurrë.
Gjatë Javës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Mashtrimet, shoqata rikujton disa praktika thelbësore sigurie:
qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm me ndarjen e informacionit personal në internet dhe të verifikojnë besueshmërinë e faqeve ku regjistrohen;
të shmangin klikimet në lidhje, mesazhe apo email-e të dyshimta;
të mos përdorin platforma të pacertifikuara, sidomos ato që kërkojnë të dhëna sensitive pa transparencë;
si dhe të zbatojnë masa bazë të sigurisë kibernetike si fjalëkalimet e forta, verifikimin me dy hapa dhe përditësimin e pajisjeve.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë nënvizon angazhimin e saj për të kontribuar në një mjedis digjital më të sigurt për qytetarët dhe bizneset, duke i ftuar të gjithë të qëndrojnë të informuar dhe të mbrojtur.




