21.5 C
Tirana
Wednesday, July 30, 2025
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPonari, CEO i SIGAL: Investimet në Fondin e Pensioneve 100% të garantuara,...

Ponari, CEO i SIGAL: Investimet në Fondin e Pensioneve 100% të garantuara, transparente dhe të trashëgueshme

Në një intervistë të fundit për Premium Channel, CEO i SIGAL, Avni Ponari, theksoi rëndësinë e edukimit financiar dhe të investimeve afatgjata, sidomos në fondet private të pensioneve.

“Kemi hyrë në ekonominë e tregut pa ditur mirë se çfarë është ajo”, u shpreh Ponari, duke kujtuar se sot ekonomia shqiptare është pothuajse e privatizuar dhe kërkon nga qytetarët njohuri të reja për të ndërtuar të ardhmen e tyre financiare.

Ai nënvizoi se niveli i investimeve në fondet private të pensioneve në Shqipëri mbetet shumë më i ulët se mesatarja evropiane. Sipas tij, ndërsa në vendet e BE-së investimi arrin mbi 3000 euro për frymë, në Shqipëri varion mes 50 dhe 80 euro.

“Ky është një tregues që jemi ende shumë larg objektivit”, tha Ponari, duke shtuar se pensioni privat është një kujdes personal i domosdoshëm, ndonëse shpesh shihet si diçka e largët.

Ponari solli edhe një shembull konkret nga Italia: një mik i tij merrte një pension shtetëror prej 800–1000 eurosh, por falë investimeve të tij të hershme në tre fonde private, arrinte të siguronte 8000 euro në muaj për 15 vjet.

Kjo tregon fuqinë e fondeve private të pensioneve”, theksoi ai. Në Shqipëri, skema është krejtësisht vullnetare, por përfitimet janë të dukshme. Një individ mund të investojë qoftë edhe 400 mijë lekë në muaj (të vjetra), shumë që nuk tatohet, duke përfituar kështu një fitim minimal prej 1 milion lekësh në vit vetëm nga mospagesa e taksave.

Duke folur për garancitë, CEO i SIGAL siguroi se këto fonde janë 100% të sigurta, pasi investohen në bono thesari të qeverisë.

“Paratë mbeten të investitorit dhe nuk humbin kurrë. Madje mund të trashëgohen nga familjarët nëse ndodh ndonjë fatkeqësi,” tha ai. Ponari theksoi gjithashtu se sot rreth 100 mijë persona janë pjesë e këtyre fondeve, shumica të punësuar në Shqipëri apo jashtë vendit, por numri mbetet ende i vogël.

Sipas tij, fondi i pensioneve ofron edhe mundësi alternative investimi, më fitimprurëse se blerja e një banese, duke siguruar të ardhura mujore pa shqetësime dhe pa detyrime tatimore.

“Është një mënyrë për të jetuar me më shumë siguri dhe qetësi, sepse në fund të fundit, misioni ynë është që qytetarët të mos e ndiejnë humbjen financiare,” përfundoi Ponari.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat